Del nga shtrati lumi i Tiranës
përmbyten mbi 1000 banesa

Del nga shtrati lumi i Tiranës<br />përmbyten mbi 1000 banesa
TIRANË - Reshjet e shumta të shiut gjatë orëve të vona të natës së 15 tetorit, duke u gdhirë dita e sotme kanë fryrë lumin e Tiranës, i cili ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në pjesën më të madhe të minibashkisë nr 11 dhe në zonat në kufi me të, në lagjet periferike të kryeqytetit.

Kryetari i bashkisë Lulzim Basha e cilësoi situatën si emergjente dhe shtoi se një fryrje e tillë e lumit në këto parametra ndodh një herë në 20 vjet. Sipas tij janë mbi 1000 banesa të përmbytura dhe 6000 qytetarë që gjenden në situatë emergjente. Për Bashën gjëndja është e jashtëzakonshme dhe kërkohet një zgjidhje e menjëhershme.

Telefonata të shumta të bëra gjatë natës në A1 Report, kanë raportuar për situata të vështira në disa zona të kryeqytetit dhe kanë kërkuar ndihmë për të sensibilizuar situatën. Përmbytje raportohen tek Fusha e Aviacionit, në Paskuqan, në Laprakë, tek ura e Kamzës, Vaqarr, në autostradën Tiranë-Durrës, Bregu i Lumit.

Për të vëzhguar nga afër situatën, sot në mëngjes tek Ura e Kamzës ka shkuar edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, kryebashkiaku, Lulzim Basha, Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ai i Emergjencave, Alfred Olli.

ORA 11:15 RESHJET, KOMBINATI PA ENERGJI
Gjatë orëve të natës si pasojë e reshjeve është përmbytur nënstacioni që ndodhet në zonën e Kombinatit në Tiranë. Si pasojë prej orëve të para të mëngjesit, janëe pa energji elektrike disa zonë të periferisë së Tiranës.

Gazetarët tanë në terren raportojnë se, zonat pa energji janë, Kombinati, fshatrat Vaqarr, Prush dhe Yzberisht. Gjithashtu aty ndodhen grupet e punës të ÇEZ, që po punojnë për zgjidhjen e situatës dhe rikthimin e energjisë elektrike.

ORA 10: 30 BASHA TEK URA E KAMZES: SITUATE E JASHTEZAKONSHME, NDODH NJE HERE NE 20 VJET
Kryetari i bashkisë Lulzim Basha shkoi sot paradite për të parë nga afër situatën e përmbytjeve tek Ura e Kamzës.  Basha e cilësoi situatën si emergjente dhe shtoi se një fryrje e tillë e lumit në këto parametra ndodh një herë në 20 vjet. Për Bashën gjëndja është e jashtëzakonshme dhe kërkohet një zgjidhje e menjëhershme.

"Rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm si rezultat i rreshjeve të pandërprera që kanë arritur kuotën e 60 milimetrave në më pak se 4 orë, lumi i Tiranës ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur pjesë të mëdha të njësisë bashkiake nr.11 dhe më tej të bashkive dhe komunave kufitare.  Mbi 6000 mijë qytetarë gjenden në këtë situatë emergjente në kushtet e përmbytjes. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima apo probleme me njerëz, ndonëse në disa raste evakuimi i banorëve është bërë te komshiu por ka dëme të mëdha materiale. Ka përmbytje të gjithë zonës çka ka krijuar situatë emergjente me të cilën po përballen këto qytetarë.”- tha Basha.

Ai informoi se një  numër i madh punonjësish të ndërmarrjes nr 2  dhe të policisë bashkiake janë në këtë pejsë perëndimore të urës së Kamzës që është dhe pjesa më e goditur.  ”Mbi 180 punonjës po punojnë për të bërë pastrimin dhe për t’i ardhur në ndihmë familjarëve me pastrimine  ambienteve. Kjo është përpjekje e stërmadhe që kërkon shumë më shumë ndihma se kaq. Në këtë kuadër është e nevojshme që të ketë bashkëpunim me institucionet qëndrore për të ndihmuar punën dhe stabilizuar furnizimin me ujin e pijshëm .”- tha Basha.




ORA 10: 08 BANORET TE BREGU I LUMIT: VETEM ZOTI NA SHPETOI
Për gazetarin e TV A1 REPORT dhe Shqiptarja.com Arsen Rusta, banorët e Bregut të Lumit, në Laprakë thonë se askush nuk i ka ardhur në ndihmë.
“Mbrëmë erdhi një furi uji. Ishte tmerr. Fëmijët gati na u mbytën. Merrnim policinë në telefon dhe zjarrfikësit na thonin do vijmë por nuk vinin. Të gjithë shtëpitë e kësaj zone janë dëmtuar pltoësisht dhe makinat tona. Fëmija im për fat të mirë shpëtoi. Elektriku nuk i fiku dritat, dhe rrezikoheshim të na zinte korrenti. Si mbrëmë nuk ka ndodhur asnjëherë. Askush nuk na erdhi në ndihmë. Vetëm Zoti na shpëtoi.”- thotë një banor. Ndërkohë që një banor tjetër tregon se në shtëpinë e tij uji ka shkuar gati në 2 metra. Në shtëpinë time uji ka shkuar në 1.60 cm gati reth 2 metra ujë. Të gjitha janë dëmtuar. Vetëm Zoti na shpëtoi”.

permbytje
(Foto: Përmbytjet tek bregu i lumit në Laprakë)





Ora 09:40 TE ZONA E BREGUT 30 SHTEPI TE PERMBYTURA, 2 JANE SHEMBUR
Gazetari Arsen Rusta informon se në zonën e Bregut të Lumit, rruga “Shaban Hoxha”, janë  30 shtëpi të përmbytura nga reshjet e mbrëmshme, prej tyre 2 shtëpi janë shembur tërësisht, ndërkohë që 8 janë dëmtuar. Pjesa më e madhe e këtyre familjeve janë zhytur në baltë.  Banorët kanë informuar gazetarin se deri tani nuk ka shkuar askush t’u vijë në ndihmë.

permbytje
(Foto: Përmbytjet tek Bregu i Lumit në rrugën 'Shaban Hoxha')

ORA 09.35 ZJARRFIKËSIT SHPËTOJNË 11 FËMIJË NGA UJI TE URA E KAMZES
Reshjet e shumta të shiut që kanë shkaktuar edhe përmbytje të mëdha, kanë sjellë situata të ndryshme në zona të kryeqytetit. Gazetarët tanë nga terreni kanë bërë të ditur se reparti i zjarrfikëseve ka shpëtuar 11 fëmijë në zonën e Bregut të Lumit, pasi kishin hipur mbi çati si pasojë e ujërave të lumit. Në këtë zonë, uji kishte shkuar deri në 2 metra në vende të ndryshme.

ORA 09.14 BASHA TEK FAMILJET E PËRMBYTURA
Kryetari Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka mbërritur në zonën e përmbytur tek ura e “Treshit”, tek instituti Bujqësor. Në këtë zonë janë përmbytur disa zona si pasojë e daljes së ujit të lumit nga shtrati.

ORA 09.10 BANORËT TE URA E KAMZES: UJI SHKOI NË 1 METËR
Një nga banorët e përmbytura nga lumi i Tiranës, duke folur për gazetarin e A1 Report, Granit Sokolaj, tregonë për dëmet e shkatuara. Hamide Muça tregon se, asgjë nuk ka ngelur në shtëpinë e tij pasi uji ka shkatërruar gjithçka.

“Asgjë nuk ka ngelur në shtëpi, çdo gjë e ka prishur uji, me divanë, dyshekë, etj. Nga ora 05.00 uji ka ardhur tek ne. Ishim në gjumë dhe nuk e dimë se si kemi dalë. Nuk kemi kujt t’i kërkojmë ndihmë pasi nuk ka ardhur asnjë njeri”. Sipas saj, uji ka shkuar deri në 1 metër lartësi në banesa.
 
Një tjetër banor thotë se, “nga dallga e lumit të Tiranës që përmbytet kjo lagje ka përmbytje të mëdha në familje me orenditë e shtëpisë. Të gjithë banorët janë të trembur. Në ndihmë nuk ka ardhur asnjë njeri”.

“Kryeplaku kishte hipur në katin e dytë edhe shikonte. Kur pak më poshtë është dhënë një leje për shfrytëzimin e inerteve, pika kryesore që bëhet përmbytja e lagjes. Po mos të jetë ajo, gryka e lumit është e hapur. Dëmet janë shumë të mëdha, nuk di çfarë të themi”, thotë ai.

ORA 09.05 KODHELI: PROBLEM NDERTIMET PRANE LUMIT
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shkuar në zonën e përmbytur në Bregun e Lumit, pranë urës së “Treshit”. Kodheli tha se, “ka dalë jashtë përdorimit çdo orendi e banorëve”. “Ka një problem të ndërtimit të banesave pranë lumit. Shirat kanë agravuar situatën. Forcat e ushtirsë e forcat e policisë janë këtu. Po merren të gjitha masat. Jam këtu dhe me Prefektin e Qarkut.

Fillimisht do të ndihmohen fëmijët dhe gratë. Mendoj që kanë ndërtuar në vendin e gabuar por kjo nuk do të thtoë se do të merren masa për të zgjeruar shtratin e lumit pasi është mbyllur për shkak të inerteve gjatë ndërtimit. Kjo e ka bërë që rrjedha e lumit të ngushtohet duke bërë që uji të dalë nga shtati. Jam e informuar që edhe në Vaqarr ka situatë të tillë të agravuar dhe do shkoj dhe atje dhe do shoh si do të shkojë”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, pas inspektimit të situatës.

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, Rama: Grupe me menaxherë të huaj do asistojnë QSUT! Autonomi spitalore, mjekët pagesë sipas performancës

Skandali te Onkologjiku, Rama: Grupe me menaxherë të huaj do asistojnë QSUT! Autonomi spitalore, mjekët pagesë sipas performancës