Si pasojë e reshjeve të fundit të shiut, përroi i Kushës ka dalë nga shtrati duke bërë që të ketë prani të ujit në banesat e ndodhura pranë zonës së Ish-Kombinatit Metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit.

Report Tv ka kontaktuar me Prefekturën e qarkut të Elbasanit ku në kthim-përgjigje është sqaruar se shkak për daljen e përroit nga shtrati, janë bërë punimet e kompanisë Salillari për ndërtimin e lotit të parë të autostradës Elbasan-Rrogozhinë, në segmentin nga qyteti deri në Papër.

Kompania Salillari prej disa muajsh ka hapur kantierin për ndërtimin e lotit e parë të autostradës Elbasan-Rrogozhinë, që kalon dhe në këtë zonë. Për këtë lot të autostradës 40.7 km, pjesë e korridorit të 8-të, kompania Salillari, ka fituar tenderin me vlerë 20 milionë euro (pa tvsh).

Punimet që po kryhen nga Salillari siç është dhe ura që po ngrihet mbi përroin e Kushës, kanë bllokuar hyrjen e kanalit, dhe për pasojë prurjet e përroit kanë vërshuar drejt banesave. Kompania është informuar për problematikën e shkaktuar dhe i është kërkuar që të marrë masat për të rregulluar situatën. Prefektura thotë se niveli i ujit ka rënë dhe se ka qenë prezent vetëm në oborret e banesave.

“Nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Elbasan njoftohemi se disa banorë në fshatin Katund i Ri, Njësia Administrative Bradashesh, Bashkia Elbasan, kanë shprehur shqetësimin për daljen nga shtrati të përroit të Kushës dhe futjen e ujit në banesat e tyre.

Nga komunikimi i kryer me sektorin e Emergjencave të Bashkisë Elbasan dhe Kryetarin e Njësia Administrative, informohemi se uji ka hyrë në oborret e disa banesave, por jo brenda në banesa. Shkak i futjes së ujit është bërë kryerja e punimeve nga firma Salillari, për ndërtimin e Korridorit 8 që kalon në këtë fshat. Është njoftuar firma dhe ka sjellë një mjet tip ekskavator për të hequr pengesën e krijuar nga këto punime.

Aktualisht vihet re një rënie e nivelit të ujit në zonë. Mjeti do të vijojë të punojë dhe do të qëndrojë edhe natën, nëse do të jetë e nevojshme. Gjithashtu, njoftohemi nga HEC Banjë se në orën 19:00 do të fillojë shkarkimi me 50 m³/sek në këtë digë dhe, bashkë me prodhimin, do të ketë 150 m³/sek shkarkime në total”, thuhet në kthim-përgjigjen e Prefekturës së Elbasanit.