Emri i modeles shqiptare Misse Beqiri është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes, jo vetëm për pjesëmarrjen në sezonin e ri të Ladies of London: The New Reign, por edhe për përmendjen e saj në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein. Një rikthim që përzien shkëlqimin e televizionit me hijet e një të kaluare që vazhdon të trazojë opinionin publik.
Sipas The Sun, emri i 39 vjeçares është përfshirë në dokumentet e publikuara së fundmi, duke rikthyer në vëmendje një takim të vitit 2011 me financierin amerikan, i cili më vonë u përball me akuza të rënda për trafikim dhe shfrytëzim seksual.
Një burim pranë saj ka deklaruar se “sigurisht që ishte një tronditje e plotë kur mësoi se emri i saj ishte përmendur në dosjen e Jeffrey Epstein. Ajo ishte shumë e re kur e takoi dhe në atë kohë nuk e dinte kush ishte ai”.
Sipas të njëjtit burim, “natyrisht që u ndje e vlerësuar nga vëmendja e tij, por asgjë nuk ndodhi. Ishte një modele e re që përpiqej të ndërtonte karrierën e saj; ai i premtoi kontrata modelingu dhe kjo është arsyeja pse ajo pranoi fillimisht ta takonte. Tani ajo pendohet për këtë. Ndihet keq për të gjitha viktimat në këtë situatë dhe beson se drejtësia do të vihet në vend. Ajo e di që nuk ka bërë asgjë të gabuar, ajo thjesht e takoi, ishte ai që e kërkoi, jo e kundërta. Dhe ata që e njohin, e dinë të vërtetën”.
Raportimet theksojnë se Epstein kishte shprehur interes të madh për të. Ai i kishte ofruar ta çonte me avion privat në Paris për një sfilatë mode dhe madje kishte dashur t’i blinte një Mercedes me vlerë 100 mijë paund. Takimi i parë mes tyre kishte ndodhur në rezidencën e tij në Manhattan, me vlerë 37 milionë paund. Misse ishte habitur kur kishte parë brenda vilës shtatëkatëshe një klasë të improvizuar me banka shkollore, por kishte vendosur të qëndronte, duke shpresuar se ai mund ta ndihmonte në karrierë.
Takimi kishte ndodhur vetëm disa muaj pasi Epstein kishte përfunduar 13 muaj burg dhe një vit arrest shtëpie pas dënimit të vitit 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion. Një mik i saj ka thënë se “ajo në atë kohë nuk dinte për dënimin e tij”.
Jeta personale dhe sfidat e mëdha
Misse Beqiri u bë e njohur ndërkombëtarisht si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard, me të cilin u martua në vitin 2016. Ajo ka edhe një djalë 11 vjeçar, Julian me Lindegaard.
Më pas nisi një romancë e trazuar me Jake Hall, e cila përfundoi përfundimisht në vitin 2021 dhe solli lindjen e vajzës së tyre, River, 8 vjeç.
Një nga episodet më tragjike në jetën e saj ishte vrasja e vëllait të saj, Flamur Beqiri, i cili u qëllua jashtë shtëpisë së tij në Battersea në prag të Krishtlindjes 2019. Sipas Gjykatës Flamuri ishte përfshirë në krim të organizuar dhe kishte rivalitete të dhunshme me grupe të tjera në Skandinavi. Për vrasjen, Anis Hemissi u dënua me burgim të përjetshëm me minimum 35 vite.
Ndërsa përgatitet të shfaqet në Ladies of London: The New Reign, Misse shprehet optimiste kur pa për herë të parë billboardin me imazhin e saj:
“Çfarë momenti surreal. Jam jashtëzakonisht krenare për ne, për përpjekjen, zemrat e hapura, gjithçka që sollëm këtë sezon. Jeta nuk më është dhënë në një pjatë të artë. Nuk jam perfekte, por e di vlerën time dhe jam rritur në një person për të cilin jam krenare.”
Ajo shton: “Ky program nuk është thjesht një punë për ne, është bërë jeta jonë, ashtu si edhe kasti. Jam shumë mirënjohëse për këdo që më qëndroi pranë kur isha e rrënuar, kur nuk mund të ngrihesha nga shtrati, por u ngrita, sepse njerëzit besuan tek unë. Dhe do të vazhdoj gjithmonë të luftoj për një jetë më të mirë për mua dhe fëmijët e mi. Të shoh këtë billboard nuk përmbledh të gjitha momentet krenare, por tregon se mund të biesh shumë herë dhe sërish të ngrihesh. Ja një kapitull i ri.”
Ky rikthim përmbledh fama, skandalet, tragjedinë familjare dhe sfidat e karrierës së Misse-s. Ndërsa ekrani i jep një shans të ri për të rindërtuar imazhin e saj, hijet e së kaluarës vazhdojnë ta ndjekin.
Komente









