Në redaksinë e Report TV kanë mbërritur pamjet e plagosjes së Alten Jolldashi, një ditë më parë në Pogradec, ngjarje për të cilën janë arrestuar tre persona. Siç shihet në pamjet e kamerave të sigurisë, të shpërndara nga familja e të plagosurit, pranë një servisi vjen grupi i autorëve me një mjet luksoz dhe njëri me armë që e fut në xhep dhe dëmtojnë motorin e parkuar në pronësi të Alten Jolldashit.

I njëjti grup rikthehen sapo mësojnë se i riu Jolldashi rikthehet tek motori dhe mes tyre nis një sherr masiv mes disa të rinjve, pas së cilit plagoset me armë Jolldashi me tre plagë, në gju, në dorë dhe në pjesën e kraharorit.

Sipas policisë edhe vetë i plagosuri që ndodhet tek spitali i Traumës ka qëlluar me armë dhe ndodhet nën arrest. Dy të rinjtë e tjerë, Deis Meko 32 vjeç dhe Kristo Lotis 27 vjeç, u vetëdorëzuan pas negociatave me familjarët.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në një zonë të banuar të qytetit të Pogradecit dhe në një orar që shënon pikun e lëvizjeve të banorëve.