Policia e Shtetit dhe EUROPOL konfirmuan të premten bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Delegacioni i EUROPOL-it, i përbërë nga përfaqësues të Qendrës për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda (SOCC), u kryesua nga Jean Yves Goriou, drejtues i Njësisë kundër Krimit të Organizuar, i shoqëruar nga Roberto Garbini, zëvendësdrejtues i Ekipit për Organizatat Kriminale me Rrezikshmëri të Lartë në Njësinë e Krimit të Organizuar..
Takimi u drejtua nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe u fokusua te forcimi i bashkëpunimit operacional dhe strategjik mes Policisë shqiptare dhe EUROPOL-it.
Sipas njoftimit zyrtar, palët diskutuan për prioritetet e përbashkëta kundër krimit të organizuar, përfshirë zhvillimin e hetimeve proaktive të bazuara në inteligjencë, shkëmbimin e informacionit me EUROPOL-in dhe shtetet anëtare të BE-së, si dhe goditjen e grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë dhe lidhje ndërkombëtare.
Në tryezë u trajtua edhe përfshirja e Policisë shqiptare në prioritetet dhe planet operacionale të EMPACT për vitet 2026–2027, si dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit mjedisor, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm.
Gjithashtu u diskutua koordinimi i hetimeve paralele, hetimet pasurore dhe mbështetja teknike e operacionale që EUROPOL do të vijojë të ofrojë për çështje konkrete në ndjekje.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit ritheksuan angazhimin për të vënë në dispozicion kapacitetet dhe ekspertizën policore në çdo nismë të përbashkët rajonale dhe europiane kundër krimit të organizuar.
Vitet e fundit, policia e shtetit ka intensifikuar bashkëpunimin me EUROPOL-in veçanërisht në hetimet që lidhen me rrjete kriminale ndërkombëtare dhe krime të rënda me shtrirje ndërkufitare.
Komente









