Katër drejtues mjetesh kanë përfunduar në pranga në qarkun e Dibrës gjatë 21 ditëve të para të shtatorit, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas Policisë Rrugore Dibër, gjatë periudhës 1–21 shtator kontrollet janë intensifikuar në të gjitha akset e qarkut me dronë, radarë dhe makina inteligjente, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 2.506 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Konkretisht, 523 gjoba janë vendosur për parakalime të gabuara, 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 395 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 45 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit, 265 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 28 për qarkullim me xhama të riveshur, 847 për ndalim ose qëndrim të gabuar dhe 389 për shkelje të tjera.

Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në rrugë. Po ashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.