Një delegacion i partisë Fratelli d’Italia, forca politike e kryeministres italiane Giorgia Melonit, qëndroi sot rreth 1 orë në Gjadër të Lezhës për të verifikuar funksionimin e kampit të emigrantëve i ngritur sipas një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për pritjen e emigrantëve që kapen në det deri në riatdhesimin e tyre. Në dalje të kampit, deputetja e Fratelli d’Italia, Sara Kelany, përgjegjëse për Departamentin e Emigracionit tha se qendrat funksionojnë në të gjithë dimensionin e tyre. Sipas saj janë 536 raste tranziti të emigrantëve, disa prej të cilëve janë riatdhesuar.

 "Kemi ardhur këtu për të dëshmuar se këto qendra funksionojnë, në dimensionin e tyre si CPR, aktualisht në kapacitet të plotë. Deri më sot kanë kaluar në tranzit 536 persona, disa prej të cilëve janë riatdhesuar, ndërsa disa të tjerë kanë marrë vendim për mosvlefshmëri të ndalimit. Pikërisht për këtë kemi ardhur këtu, për të dëshmuar funksionimin efektiv të CPR-ve.” tha Kelany

Delegacioni përfshinte emra të rëndësishëm të politikës italiane, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, mes tyre Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan, nënkryetarët e grupeve parlamentare Augusta Montaruli, Raffaele Speranzon dhe Salvatore Sallemi, nga përgjegjësi i organizimit Giovanni Donzelli, nga deputetët Sara Kelany dhe Francesco Filini, si dhe senatori Marco Lisei, kryetar i grupit në Komisionin për Çështjet Kushtetuese.

Qëllimi i kësaj vizite ishte sipas deputetëve, hedhja poshtë me fakte e narrativës 'së shtrembëruar dhe të qëllimshme' të opozitës italiane, sipas së cilës këto struktura nuk funksionojnë ose, më keq, janë një humbje e kotë. Deputeët e partisë së Melonit e shohin këtë si një projekt që funksionon dhe që përkundrazi përfaqëson një model për gjithë Europën

Sipas qeverisë Meloni, modeli i qendrave si ai në Shqipëri synohet të shtrihet edhe në vende të tjera, përfshirë Afrikën, në kuadër të strategjisë së re për emigracionin. Ndërkohë kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë së fundmi se ky model i qendrave të riatdhesimit "është ekskluzive vetëm për Italinë. 

Në përfundim të vizitës, deputetët italianë do të përgatisin një raport për qeverinë Meloni ku do të paraqitjen gjetjet e vizitës.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë kërkon që procedurat për emigrantët do të kryhen në dy qendra, një në Shëngjin dhe tjetra në Gjadër. Qendra e Shëngjinit synohet të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve, ndërsa qendra e Gjadrit, rreth 20 kilometra larg portit, synohet të shërbejë për strehim të emigrantëve deri në përpunimin e kërkesave të tyre për azil.