Delijorgji rrezikon skulpturën
botërore zhduk qendrën e artit

Delijorgji rrezikon skulpturën<br />botërore zhduk qendrën e artit
TIRANE - Përzënia me forcë e 37 familjeve rome nga kampi i tyre, nga pronari i truallit të ndërtimit Mihal Delijorgji, qëlloi të ishte si Kutia e Pandorës. Njëri problem nxjerr tjetrin.... Qendra më e rëndësishme e realizmit dhe derdhjes së veprave të artit do të zhduket dhe rrafshohet nga kompania e ndërtimit të Mihal Delijorgjit. Të parët që janë alarmuar për fatin e kësaj qendre të rëndësishme janë familjarët e njërit prej mjeshtërve të mëdhenj të rilindjes dhe modernitetit të skulpturës shqiptare, skulptorit Janaq Paço(1914-1991).

Vepra “Dy gladiatorët” që është planifikuar për t’u vënë në Amfiteatrin e Durrësit, aktualisht ndodhen në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në sheshin e ndërtimit që ka marrë në pronësi Deligjorgji. Familjarët dhe disa dashamirës që strehojnë prej vitesh veprat e skulptorit të madh rrëfejnë se janë gati të hidhen në tokë “Dy gladiatorët”, të cilët janë një legjendë më vete e diskriminimit të kryeveprave të artit shqiptar nga institucionet e shtetit.

“Ato mezi janë arritur të restaurohen, të mblidhen copat dhe të bëhen prej betoni, për të mos zënë në gojë që u lanë gjysmë të realizuara se u derdhën në beton”, shprehet Spartak Hasamataj, mik i ngushtë i familjes Paço, i cili kujton se “Ministria e Kulturës premtoi se do t’i vinin në shesh për 100-vjetorin s’i vunë”. U deshën të vinin përvjetorë të tjerë, prapë premtime e prapë s’i vunë, tregon Hasamataj, duke shtuar se “tani pritet të shkatërrohen sepse rreziku është prezent”.

Spartaku në prani të djalit të skulptorit Janaq Paço pohon se “Dy gladiatorët” i ka zili edhe bota dhe duhen vendosur në qendër të populluar por të paktën të vendosen atje ku ka pasur dëshirë Janaqi, në vendin për të cilin janë bërë”. Hasamataj që ndihmon familjen duke ruajtur në ambientet private të tij disa nga veprat e skulptorit të njohur, thotë ndër të tjera se “as Galeria Kombëtare e Arteve, as Ministria e Kulturës nuk tregon kujdesin më të vogël për këtë emër të madh të skulpturës shqiptare”.

Duke na treguar disa nga bocetet që ruan, Hasamataj shprehet se “Të mos merrem me kioskat dhe lokalet që janë një gangrenë më vete, por të kthejnë sytë edhe nga veprat e artit se janë duke u shkatërruar. Po shkatërrojnë një memorie të kombit, histori të artit shqiptar dhe nëse nuk i ruajmë, atëherë le t’ua lëmë vendin zaptuesve të terreneve t’i rrafshojnë”.

Ndërkohë, i biri i Janaq Paços, Klitoni, sapo është kthyer Italia. Duke folur për “Shqiptarja.com” shprehet se është tepër i shqetësuar për fatin e njërës prej kryeveprave të të atit, që siç do ta mësojmë nga ai dhe të intervistuarit e tjerë, tashmë është kthyer në një legjendë të shpërfilljes së shtetit nda vlerave të artit kombëtar.   
 
Kliton, çfarë pengesash keni hasur për mbrojtjen e krijimtarisë së babait tuaj?
-Në fakt të gjitha veprat e babait tim janë të sistemuara në mënyrë private. Disa janë në shtëpinë time dhe tek miqtë si Spartaku, etj, që na i ruajnë në mirëbesim. Veprat e babait tim nuk janë ekspozuara dhe ne nuk kemi mundësi financiare që t’i ekspozojmë, por mundohemi t’i ruajmë në këto kushte që kemi. Megjithatë, janë vënë në dijeni ministria dhe Galeria Kombëtare e Arteve, e cila edhe vetë disa vepra që i ka pasur në koleksionin e saj, nuk ka mundur që t’i ruaj. Më urgjente është kryevepra e dy gladiatorëve, e cila rrezikon të shkatërrohet bashkë me shkatërrimin e qendrës së artit, institucionit që i ruan dhe i derdh skulpturat.
 
Kur u derdhën në beton dhe nga cilat formate u ribënë?
-“Dy Gladiatorët filluan të restauroheshin me interesimin e  ministrit Ylli Pango, që siç dihet iku për ato probleme që i dolën. Ai të paktën u interesua dhe dha një fond, u derdhën në beton artistik janë që nga ajo kohë të ruajtura atje, mirëpo kushte shumë të këqija. Rrezik që çdo natë të thyhen nga keqbërësit. Ne kemi sensibilizuar edhe ministrat e tjerë që kanë ardhur pas Pangos, Adrian Turkun, Aldo Bumçin deri tek Visar Zhiti, të cilët gjithmonë na kanë premtuar, na kanë pritur mirë dhe s’kanë bërë asnjë përpjekje për t’i dhënë drejtim kësaj pune.

Nuk kanë caktuar asnjë lloj fondi, megjithëse ne i kemi dhënë edhe dhuratë Ministrisë së Kulturës disa gjëra personale nga babai dhe megjithatë kjo ministri me pesë ministrat që kanë ardhur pas Pangos nuk ka bërë asgjë. Tani na njoftojnë se ka ardhur pronari i Truallit atje dhe kompania e Mihal Delijorgjit do ta prishi këtë institucion, duke parë punët e veta dhe nuk ka ndërmend të interesohet për këto vepra arti. Nuk flas nga pozicioni i të birit, por të respektohen sepse është investuar për to. Janë vepra artistike dhe duhet të vendosen tek vendi që iu takojnë.
 
Çfarë dhurate nga veprat e Janaq Paços posedon Ministria e Kulturës?
-Ne bëmë  një dhuratë simbolike, një projekt të qendrës së Tiranës që kishte vizatuar me dorë im at me një koncept të bukur për Tiranën dhe ajo është në sallën  mbledhjeve të Ministrisë së Kulturës. Mbase ata nuk kishin fonde ta blinin, por ne ia dhuruam të mbetet. 
 
Le të kthehemi tek gjendja e “Dy gladiatorëve” tek qendra e artit. Sa vjet kanë gladiatorët atje?
-Gladiatorët kanë mbi katër vjet që kur ishte Ylli Pango. I gjetëm në muzeun arkeologjik të Durrësit dhe kemi qenë me fat që i gjetëm të strehuara atje. Madje aty ishin lënë në ruajtje dhe të drejtën e tërheqjes e kishim ne si familje. Ata të Durrësit nuk donin që të vinin në Tiranë. Ekzistonte një farë xhelozie pozitive për këtë vepër në Durrës, sepse një ide e Ylli Pangos ishte të vendoseshin në Tiranë në një ambient të ministrisë, por atje ishin si të mbytura.

Nuk kishin hapësirën që të përshtateshin tamam në hyrje të amfiteatrit të Durrësit. Dihet që çdo vepër arti që kur nis të realizohet shihet në perspektivën se ku do t’i vësh. Skënderbeu i Krujës është bërë që shihet mali. Në kohën e demokracisë këto vepra i kishim në galerinë e arteve, por ajo na i nxori përjashta se nuk ishin të inventarizuara në emër të GKA-së. I çuan në Durrës dhe aty na i ruajtën me mirëbesim.

Më vonë u kujtuan këta të Ministrisë së Kulturës se  nisi një sensibilizim nga studiuesit e artit që iu bënë me dije vlerat. Ne shkuam, i morëm prapë privatisht nga Durrësi dhe i strehuam në Tiranë, i formatuam me skulptorët Genc Hajdarit dhe Bujarin që janë dashamirësit e babait tim. Ata i riparuan, i derdhën në allçi dhe bënë kopjet dhe i derdhën në çimento të bardhë, siç vendosi ministria. Mirëpo u harrua kjo punë.

Edhe kur ka qenë rasti i parazgjedhjeve të 23 qershorit, që u interesua edhe bashkia me kryetarin Lulëzim Basha me ministrin Visar Zhiti, ku insistoi motra ime, ata i premtuan se do ta caktonin vendin, por ja s’u gjendkan dot dy gropa për t’i vënë në publik. Mirë që nuk e bënë këtë, siç e meriton vepra, por u la të degradojë dhe tani mund të bëhet edhe zhdukja fizikisht nga njerëz të papërgjegjshëm.
 
Çfarë përgjigje iu jep Ministria e Kulturës, ndërkohë që qeveria ia ka dhënë lejen ndërtuesit Delijorgji që të prish objektin ku ruhen veprat?
-Ministria jep përgjigje se nuk ka fonde dhe nuk do të bëjë asgjë.
 
Po a nuk është ai projekti i saj i investuar nga ajo?
-Po, por u la në gjysmë të rrugës. Unë lutem të ndihmojë kjo ministri që do vijë, por frika është të mos prishen sa të vijë një figurë tjetër në drejtim që të jetë më sensibël e që do të ruajë dhe ekspozojë veprat e Janaq Paços
 
Keni biseduar me drejtorin e qendrës së artit?
-Kam folur, por ai drejtor duket se nuk ka gjë në dorë. Ai nuk mund të na japë përgjigje se ku do të shkojnë “Dy gladiatorët”.

Dy gladiatorët para Restaurimit me logo
(Në foto: Dy gladiatorët para Restaurimit)

Fragment Nga Vepra dy Gladiatorët në kushte të pambrojtura në Qendrën e Artit me logo
(Në foto: Fragment Nga Vepra dy Gladiatorët në kushte të pambrojtura në Qendrën e Arti)

Klitoni djali i skulptorit Janaq Paço
(Në foto: Klitoni djali i skulptorit Janaq Paço)

Vepra të paekspozuara të Janaq Paços me logo
(Në foto: Vepra të paekspozuara të Janaq Paços)

 Nikolin Kurti:
Është e treta skulpturë e madhe në botë

Të vijë ministër Delijorgji... e t’ia vëmë emrin kësaj që bën “Gërdeci i kulturës”. 


Nikolin Kurti, nipi i Janaq Paços, djali i motrës së skulptorit, shprehet se kjo skulpturë që është 3.30 metra e gjatë renditet e treta në botë. Pasi tregon sesi kanë kaluar pesë ministra me radhë në mbrojtje të veprës së bashku me të birin e Janaq Paços Klitonin dhe të bijën e skulptorit të njohur Dorinën, ai na rrëfen se si ky kompleks monumental i përbërë nga dy gladiatorë, është vlerësuar nga komisioni i vlerësimit të veprave të artit pranë Ministrisë me 200 mijë Euro, në pasaportën që është lëshuar. Pra familja gjithë këtë dhuratë ja jep popullit shqiptar, skulpturës shqiptare, artit shqiptar, qytetit muze të Durrësit, pa pretenduar asgjë, vetëm që vepra, djersa dhe puna e Janaq Paços të shkoj aty ku ai e kishte menduar. Kurti thotë se “Janaq Paço, ka mbi 20 vjet që ka vdekur, nuk i ka pirë asnjë kafe veprës së vet, megjithatë kënaqësia do të jetë që kjo vepër të bëhet pjesë e kulturës dhe e qytetërimit Shqiptar”.
 
Nikolin, ju keni folur edhe më herët për veprat e dajës suaj, sidomos për “Dy gladiatorët”. Çfarë po ndodh me ta?

-Që sot në mëngjes jam irrituar kur kam mësuar se përgjegjësi i firmës Mihal Delijorgji do të marrë në përdorim pronën dhe do të zhduket qendra e artit, një qendër e rëndësishme për të gjithë skulptorët dhe artin e skulpturës shqiptare.
 
Pra ju duket shqetësuese mbajtja në kushtet aktuale atje?
-Shqetësuese ka qenë që prej tre katër vjetësh. I pesti ministër kulture në radhë nuk ka bërë asgjë që kjo kryevepër të shkojë në vendin që i takon. U premtua se do të vendosej në Durrës për 100-vjetorin, nuk e vunë, se i çuan fondet dëm në vepra pa vlerë dhe nuk e vrau mendjen njeri për afatin e veprave të trashëgimisë. Është e treta skulpturë e madhe në botë 3.30 metra e gjatë. Ky lajmi i sotëm që do ta marrë qendrën e artit firma Delijorgji më ka shqetësuar shumë. Ku do të shkoj vepra. Më erdhi si një rrufe në qiell që një skulpturë që s’e ka bërë njeri në Shqipëri, ku u derdh mundi për ta restauruar dhe janë derdhur para, të qëndrojë në rrezik për katër vjet.
 
Cila është historia e mbijetesës së kësaj skulpture?
 - Paço u detyrua që Gladiatorët të mos pësonin të njëjtin fat me nudot, i fshehu ato në një pjesë private të tij, në mënyrë që askush të mos i dinte. i druhej një ndëshkimi tjetër alla komunist i kësaj vepre. Në vitin 1993 ai nuk trashëgoi studio, pasi studioja e tij ishte pronë e familjes Toptani. U detyrua që e gjithë vepra e tij të shpërndahej lart e poshtë. Një pjesë i ka në shtëpi, një pjesë tek firma “Halili”, ndërsa 43 pjesët e ndara të Gladiatorëve nuk ishte e mundur të mbaheshin në një ambient tjetër. Më ndihmën e Profesor Neritan Cekës, u urdhërua Muzeu Arkeologjik i Durrësit, të hapte një ambient për tu vendosur, dhe aty u strehuan deri në vitin 2008, afro 15 vjet. Më pas u poq mendimi se që kjo vepër duhet çuar atje ku ishin ideuar, dhe projektuar për tu vënë në shërbim të popullit. Së bashku me Klitin djalin e Janaqit vajtëm në Durrës, i gjetëm, i identifikuam, dhe i sollëm pranë kësaj qendre. Ajo ka një vlerë prej 200 mijë euro, dhe ka rrezik të prishet, kjo është pasaporta e saj, që të mos shitet. Gjithë ajo punë nuk duhet të shkojë për dhjamë qeni. Për hir të pallateve 120 metra të lartë. Jam shumë i tensionuar dhe i nervozuar. Ju kujtoj se në kohën dikaturës Janaq Paço theu nudot nga trajtimi që i bën. I tash Klitonit, të birit: “më mirë thyeji dhe ti veprat e babës, sepse këtu nuk ka mendjen njeri për kulturë. Le të vijë ministër Delijorgji ta rrafshojë fare Shqipërinë dhe le të bëjë pallate. E t’ia vëmë emrin kësaj që bën “Gërdeci i dytë, gërdeci i kulturës”.
 
Po drejtori i qendrës së artit pohon se janë në gjendje të mirë?
-Drejtori i qendrës vegjeton atje dhe sa merr rrogën. Tani tani që prishet qendra e artit nuk ndihet. Romët janë më të civilizuar se drejtori i qendrës, u ngritën në protestë.
 

Historia
 
Ku duhet të ishin sot gladiatorët
 

Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të hapte një ambient për t’u vendosur, dhe aty u strehuan deri në vitin 2008, afro 15 vjet. Më pas u hodh ideja që kjo vepër duhet çuar atje ku ishin ideuar, dhe projektuar për t’u vënë në shesh të hapur. Familjarët vajtën në Durrës, i gjetën, i identifikuam, dhe i sollëm pranë kësaj qendre. Menjëherë trokitën në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Ministër ishte z. Ylli Pango, i cili shkoi i pa dhe u bënë të gjitha vlerësimet e duhura që të fillonte puna për derdhjen e tyre. Por në muajin mars ai u largohet nga detyra dhe erdhi Ministër Ardian Turku, edhe ai e mbajti detyrën deri në shtator, më pas Ministër u bë, Ferdinand Xhaferi, që nuk iu përgjigj fare kësja kërkese. Familjarët trokitëm tek ministri Aldo Bumçi, i cili iu premtoi se “për 100 vjetorin e Pavarësisë do ta ekspozojmë aty ku e meriton pranë amfiteatrit të Durrësit” dhe tani së fundi as ministri Visar Zhiti, s’i jep dot fonde për finalizimin e ngritjes së monumentit në Amfiteatrin e Durrësit.

 Biografia
 

Skulptori Janaq Paço u lind në Konicë më 1914, vazhdoi shkollën e mesme në Selanik dhe më 1933 hyn në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. U kthye në atdhe më 1941. Nga 1949 deri më 1959 punoi për monumentin "Skënderbeu" i vendosur në Krujë. Më 1968 u inagurua vepra "Skënderbeu" i Tiranës, ku ai ishte bashkautor me Odhise Paskalin dheAndrea Manon. Në vitet '60-'70 realizon një cikël nudosh të cilat më 1975 do t'i thyente me dorën e tij. Realizon dy buste të Fan Nolit të përfunduara më 1960, një bust të Aleksandër Moisiut. Më 1973 përfundon "Gladiatorët" (3.5 m) të parashikuar për t'u vendosur hyrje të Amfiteatrit antik të Durrësit. Më 1982 përfundon grupin skulpturor "Skënderbeu me popullin" që është vendosur në hyrje të Muzeut Historik të Krujës. Në moshën 70 vjeçare iu dha titulli "Skulptor i Popullit". U nda na jeta më 11 korrik 1991.
 

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'