DELVINE - Banorët e Delvinës kanë bllokuar për 20 minuta, rrugën nacionale në hyrje të qytetit të Sarandës, 3 km larg qytetit të Delvinës në shenjë proteste për ndotjen e ujit të pijshëm prej 8 muajsh dhe mosmarrjen e masave për zgjidhjen e këtij problemi.

7 500 banorë të lagjes “9 Tetori” dhe lagjes “Sinan Ballaci” në qytetin e Delvinës prej muajit nëntor 2012 dhe deri sot, furnizohen në çezmat e tyre me ujë të ndotur. Ndotja, sipas specialisteve, është bakteriologjike e nivelit të lartë dhe në të gjenden edhe elementë vajorë e nëntokësorë. Në fakt, protesta e organizuar nga PS-ja dhe deputeti Arben Malaj, shihet nga kreu i bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani, me ngjyrim politik, pasi për këta banorë, prej 8 muajsh, është kujdesur vetëm bashkia e qytetit dhe askush tjetër.

Instituti i shëndetit publik ka rekomanduar për këta banorë, furnizim me ujë të pijshëm nëpërmjet boteve, gjë që është e pamundur të kryhet nga bashkia e qytetit për shkak të kostos së lartë financiare.

Alternativa tjetër e hedhur nga Instituti i Shëndetit Publik është krijimi i çezmave publike, një alternativë e bërë realitet nga bashkia e qytetit, duke marrë ujë nga burimet alternative që ka qyteti i Delvinës. Të njëjtat burime konfirmojnë për “A1 Report!” se dy ekipe me specialistë nga DPU Tiranë, kanë verifikuar në terren, nga ku kanë marrë kampione për analiza të mëtejshme. Gjithashtu kanë mbërritur edhe ekipe nga Ministria e Shëndetësisë, që kanë marrë gjithashtu kampione nga uji i pijshëm.

Meqënëse sipas specialisteve ndotja është nëntokësore, me një urdhër të ministrit Sokol Olldashi, është ngritur një grup me ekspertë të Gjeodeozisë për të ekzaminuar ndotjen e burimit të Vrizit në Delvinë, që sipas tyre ka ndodhur për shkak të shirave të shumtë nga muaji nëntor 2012 e në vijim. Pas marrjes së një rezultati përfundimtar, zgjidhja e këtij problemi mbetet vendosja e një impianti pastrimi. Nga ky problem, vetëm 30% e qytetit nuk është prekur, pasi furnizohen nga 3 burime të tjera në gjendje të lirë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)