Një 45-vjeçar, i identifikuar si Xhike Hita është plagosur me sëpatë në Delvinë. Ngjarja ka ndodhur në mesditë pas një konflikti të mbartur prej një jave. 6 ditë më parë, në lagjen nr. 4 të Sarandës, në rrugën “Mitat Hoxha”, Hita, për motive banale, është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta e thikë nipat e 47-vjeçarit Lekan Tozo.
Policia shoqëroi palët në komisariat dhe vendosi ndjekjen e autorit në gjendje të lirë. Pas mjekimit të marrë, edhe të dëmtuarit lanë spitalin.
Por 6 ditë më pas, konflikti duket se është zhvendosur në Delvinë, ku Lekan Tozo është përballur me 45-vjeçarin Xhike Hita, edhe ky me origjinë nga Delvina. Ata kanë nisur të konfliktohen për shkak të plagosjes që Hita i kishte bërë nipave të Tozos.
Gjatë përleshjes fizike mësohet se janë përdorur edhe hanxharë, të cilat kanë rezultuar në plagosjen e lehtë të Hitës.
Ndërkohë, policia e Sarandës ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, familjarë të Tozos dhe Hitës, pasi janë konfliktuar verbalisht pak minuta më parë në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Pas incidentit, 45-vjeçari është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në spital. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndryshe nga sot, për ngjarjen e 6 ditëve më parë nuk ka pasur komunikim zyrtar nga Policia.
Ndërkohë grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa autori Lekan Tozo është arrestuar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento