Demaçi në '90:Enver Hoxha gjenial
biri më i madh i popullit shqipta

Demaçi në '90:Enver Hoxha gjenial<br />biri më i madh i popullit shqipta
Adem Demaçi ishte në vitin e 28 si i ngujuar në burgjet e Serbisë, por asnjëherë s'ishte ndalur të deklarohej dhe të jepte intervista për mediat.

Tre muaj para se të lirohej për herë të fundit nga burgu, në 28 shkurt të vitit 1990, Adem Demaçi pati folur për figurën e Enver Hoxhës për gazetën "Vecernji list".

Aty Demaçi përzgjedh fjalët më të mira për diktatorin shqiptar Enver Hoxha, i cili gjatë udhëheqjes së Shqipërisë kishte internuar dhe burgosur më shumë se 35 mijë shqiptarë dhe mijëra të tjerë i kishte vrarë sepse s'pajtoheshin me politikën e Partisë së Punës.

Pavarësisht se Enver Hoxha kishte mbushur pesë vite nga vdekja, Adem Demaçi i thurte elozhe nga burgu.

Sipas vlerësimeve të atëhershme për Adem Demaçin Enver Hoxha ishte shqiptari më i madh dhe udhëheqës gjenial.

"Nga vendi më i prapambetur në Europë, nga një shembull për të keq, për gjithsejtë 40 vjet ai (Enveri) arriti të krijojë një shtet që sot mund të krenohet me vetveten. Prandaj, unë e respektoj atë si birin më të madh të popullit shqiptar dhe si një udhëheqës gjenial që, natyrisht i ka pasur edhe gabimet e veta, por asnjë gabim strategjik", kishte thënë ai.

Demaçi i kishte arsyetuar në një formë edhe persekutimet që u bënte Enver Hoxha të burgosurve politik dhe atyre që s'pajtoheshin me sistemin komunist të Shqipërisë.

"Në Shqipëri mund të jenë të pakënaqur vetëm qelepirxhinjve, kontrabandistët, spekulantët dhe eventualisht ndonjë kundërshtar politik me prirje burokratike. Mirëpo shtresa e burokratëve është më e holla sepse Enveri nuk ka lejuar që ajo të zhvillohet. Ka bërë seleksionim pozitiv. Për çdo 5 gjer 10 vjetët ka bërë spastrime, por jo në atë kuptim që ia mveshin. I ka hequr nga pozita të paaftit dhe i ka vënë në vend të tyre më të aftët, më të shkolluarit", deklarohej Demaçi për Shqipërinë, ani pse asnjëherë deri në atë kohë s'kishte shkelur në shtetin shqiptar. Më poshtë mund t'i lexoni pjesë e intervistës se Demaçit për pjesën e ish-diktatorit të Shqipërisë.

Vecernji list: Po raporti juaj me Enver Hoxhën?

A. Demaçi: Është e pabesueshme, por në thelbin e vet, edhe pse ka folur gjithnjë mirë për Stalinin, i cili nga ana e vet i pati dhënë një përkrahje të konsiderueshme Shqipërisë, Enveri më së paku ishte stalinist. Nuk iu ka përmbajtur skenave të Stalinit. E pati kuptuar shumë drejt vetëlëvizjen e përmbajtjes shqiptare dhe e pati zhvilluar në mënyrën e vet dialektike. Nga vendi më i prapambetur në Europë, nga një shembull për të keq, për gjithsejtë 40 vjet ai (Enveri) arriti të krijojë një shtet që sot mund të krenohet me vetveten. Prandaj, unë e respektoj atë si birin më të madh të popullit shqiptar dhe si një udhëheqës gjenial që, natyrisht i ka pasur edhe gabimet e veta, por asnjë gabim strategjik.

Vecernji list: Kam përshtypjen se, edhe pse jeni intelektual, nuk i shihni ose nuk doni t'i shihni dobësitë e regjimit shqiptar që pati vendosur Enver Hoxha, duke filluar nga prapambeturia e gjithëmbarshme ekonomike, gjer te totalitarizmi nga i cili njerëzit ikin

A. Demaçi: Nga çdo drith ka egjër. Nuk gjendet askund një shoqëri sterile që do t'i kënaqte të gjithë. Në Shqipëri mund të jenë të pakënaqur vetëm qelepiringjinjtë, kontrabandistët, spekulantët dhe eventualisht ndonjë kundërshtar politik me prirje burokratike. Mirëpo shtresa e burokratëve është më e holla sepse Enveri nuk ka lejuar që ajo të zhvillohet. Ka bërë seleksionim pozitiv. Për çdo 5 gjer 10 vjetët ka bërë spastrime, por jo në atë kuptim që ia mveshin. I ka hequr nga pozita të paaftit dhe i ka vënë në vend të tyre më të aftët, më të shkolluarit. Në Shqipëri sundon sistemi njëpartiak, mirëpo ajo parti zhvillon një politikë që i përgjigjet më së miri interesave të njerëzve punonjës dhe të inteligjencies.

Vecernji list: Edhe pse s'keni qenë kurrë në Shqipëri, a mund të na përgjigjeni shkurtazi në pyetjen se a ka në atë vend liri njerëzore dhe demokraci?

A. Demaçi: Ka aq sa lejojnë mundësitë materiale dhe të tjera, dhe në të ardhmen do të ketë përherë më shumë. Projekti i Enverit, vazhdues i të cilit është Ramiz Alia shkon në atë drejtim.

Intervistë e gjatë dhënë gazetës ditore "Vecernji list", të datës 24 shkurt 1990, tre muaj para se Adem Demaçi të lirohej nga burgu.

Marrë nga 'Express"

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane