Demetja: Jeta e panjohur e maestro
Alias që nga rinia e hershme

Demetja: Jeta e panjohur e maestro <br />Alias që nga rinia e hershme
Balerini i vjetër Rexhep Demetja thotë se ka punuar 30 vjet me të ndjerin Agron Alija. Është një nga bashkëmoshatarët e tij. Ata për shumë kohë kanë kërcyer bashkë në skenë. I prekur thellë për humbjen e Mjeshtrit, ai sjell kujtime shumë të bukura që nga rinia e hershme kur vallëzonte në skenë, e deri në ditët më të fundit të jetës. Kujton premierën e parë të rinisë së tyre, baletin "Partizani". Ishin shumë të rinj në atë kohë dhe të dy kanë kërcyer rolin e parë. Rexhepi dublonte Agronin në këtë premierë dhe ngaqë e admironte talentin e tij, ndihet edhe sot i lumtur për këtë. Tashmë i lënduar për humbjen e tij në intervistën për "Shqiptarja.com" kërcimtari dhe studiuesi i koreografisë Rexhep Demetja sjell në kujtesë jo vetëm mbresat më të bukura nga koha që kaloi me Mjeshtrin e skenës, por prej tij rrëfehen për herë të parë sukseset dhe trofetë e balerinit Agron Alija në moshën e rinisë

Zoti Demetja, ju jeni pothuajse bashkëmoshatar, keni punuar me të, çfarë kujtimesh ruani nga Agron Alija?
-Ruaj kujtime të bukura me Agronin, si bashkëmoshatar, por edhe si partner në skenë me të. Sot e ndjej veten të dëshpëruar dhe të humbur, se humba një mik shumë të madh, shumë të shtrenjtë. Kemi qenë kolegë, keni kërcyer bashkë. E veçanta e këtij momenti është se unë jam shumë i prekur thellë në shpirtin e tij për humbjen e madhe të profesorit, sepse kujtoj që në vitin 1967 në premierën Partizani kërcyem të dy të njëjtin rol të parë. Ishte një balet shqiptar me motive klasike dhe nacionale dhe unë isha dublues i Agron Alisë. Kam edhe një kujtim tjetër te baleti "Lola" me tri akte, ku kam kërcyer bashkë me Agronin. Por ç'të them... unë e kisha para syve në gjithë jetën time artistike. Sot humba një mik të madh, një figurë të madhe, siç ka humbur edhe baleti shqiptar një njeri të madh. Panajot Kanaçi dhe Agron Alija janë të papërsëritshëm në historinë e koreografisë dhe të mos harrojmë edhe të etnokoreografisë shqiptare. Kohët e fundit unë jam lidhur edhe më shumë me Maestron, sepse kam botuar disa libra me artikuj për historinë e koreografisë shqiptare. Për të gjitha premierat që ka vënë Agron Alija, sidomos për "Zhizelin" që ka qenë një realizim i shkëlqyer, kam botuar disa artikuj në gazetat shqiptare.

Çfarë të bënte më shumë përshtypje ndër cilësitë Mjeshtrit Agron Alija?
-Që ai që në moshën 30-vjeçare dhe në moshën që 70-vjeçare kishte të njëjtën energji, të njëjtën forcë në krijimtari. Ishte njeri me fantazi të madhe. Mbi të gjitha ai ishte njeri i mrekullueshëm. Ai kurrë nuk u ka bërë keq njerëzve, nuk fliste keq, dhe kur donte të fliste ndonjë. "Mos!", thoshte. "Mos se jemi miq".

Ju keni qenë pranë tij që nga koha e rinisë, çfarë kujtoni kur ai ishte një balerin ende i ri?
-Ai në vitin 1950 shkoi në Moskë për studime bashkë me Zoica Haxhon, Ganimet Vëndreshën, Petrit Borshin, Xhemil Simixhiun. Shkuan të studionin në Bashkimin Sovjetik për kërcimtar klasik. Erdhi në Shqipëri në vitin 1956 pas gjashtë vjet studimesh. Aliaj ishte solisti kryesor i trupës së baletit. Kur erdhi më gjeti aty në opera. T'ju them një gjë.., unë nuk kam mbaruar për balet, kam mbaruar për Gjuhë-Letërsi. Por kisha aftësi kërcimi dhe kam kërcyer 26 vjet në opera. Me Agronin sapo erdhi nga Bashkimi Sovjetik më pëlqente të rrija me të. E çuditshme ishte...! Kur rrije me të sikur merrje krahë. Që në atë kohë ai kishte mendime shumë të përparuara, demokratike. Nuk i shfaqet shumë mendimet hapur, por në shoqëri ai shfaqte idetë dhe ndjenja demokratike.

Ç'ndjenja demokratike shfaqte sipas jush?
-Po ja, në mënyrën si krijonte lirshmëri në marrëdhëniet mes shokëve dhe shoqeve me një frymë humane, ishte i hapur dhe tolerant. Nuk të linte të gjykonim ose të flisnin keq për shokët ose shoqet. Na ndihmonte të ishim shumë më të hapur e të sinqertë në shoqëri, sepse koha dhe ideologjia diktonin një frymë të kundërt. Sa njeri bujar që ishte. Ishte gati të ndihmonte në situata të vështira.

Le të kthehemi tek rolet...
Për të nuk kishte role të vështira, në rolin e Pavlos në baletin "Lola", që ishte më i vështiri arriti të bëjë dhjetë pirueta. Në skenë të bësh dhjetë pirueta është vështirë, vetëm Agron Alija mund t'i bënte para 50 vjetësh. Ai ishte valltar i shkëlqyer. Të gjitha baletet që ka kërcyer kanë diçka të bukur që mbetet në mendje.

Mund të na i thuash disa?
-Për shembull, Romeo e Xhuljeta. Ishte aq aktor dhe aq teknik sa më dukej sikur ishte një Romeo në jetë dhe jo në skenë.

Cila balerinë ishte Zhuljeta?
Zoica Haxho. Kishin mbaruar një shkollë dhe Zoicën, e ka pasur gjithmonë partnere. Edhe në festivalin e Helsinkit të Finlandës, kur ka shkuar në vitin 1962, ai fitoi Çmim të parë në Festivalin e Rinisë. Unë jam bashkëkohës i tyre. Ç'të them unë. Ishte shumë i ri dhe ishte i përsosur, qoftë si ekzekutues, qoftë si interpretues, por si interpretues ishte i përkryer. Ai luajti rolin e Pavllos te baleti "Lola", një balet spanjol dhe luante si të ishte një spanjoll i vërtetë. Ishte shumë elastik. Si balerin ishte i shkëlqyer. Si Ai nuk ka ardhur njeri në Shqipëri. Ishte i mirë edhe balerini Miltiadh Papa, por Miltiadhi kishte një mënyrë individuale, kërcente vetëm se ishte pak i shkurtër.

Ju na kujtuat se ka futur në baletin shqiptar edhe elementët etnografikë. Si arrinte Mjeshtri Alija t'i përfshinte këto në baletin klasik?
-Për të ishte normale. Ai i jepte prirje nacionale baletit, duke bashkëpunuar edhe me muzikën e kompozitorit Nikolla Zoraqi. Ai ka ndërtuar një premierë të shkëlqyer me këto elementë në turneun e që u bë ne Republikën e Kinës, si një koreograf i shkëlqyer me "Cucën e Maleve". Pati aq sukses sa nuk kishte më bileta. Çfarë elementesh ka futur dhe si, thoni ju. Në baletin "Cuca e Maleve" që ishte vepër nacionale futi këto elemente të baletit klasik botëror si "pirueta", "tura", "adekua", "patëdë"... është gjuhë specialistësh kjo nuk i njihni ju. Por ai këto i shkriu në baletin nacional në mënyrë të përkryer. Dikur kishte ai kishte studiuar për kërcimtar klasik, por duke punuar pareshtur u bë një baletmaestër i mrekullueshëm. Ishte universal, i binte pianos shkëlqyeshëm, bënte poezi shkëlqyeshëm, baletmaestër, ishte kompozitor, artist në skenë. Dhe mbi të gjitha: i mrekullueshëm si njeri. Kur isha në Kinë unë kisha ditëlindjen. Ka qenë 28 maj. Na zuri 28 maji në Shangai. Nuk e di nga e mori vesh Agroni ditëlindjen time. Ishim në një nga ato tavolinat e rrumbullakta në Shangai, në një godinë mbi 20- kafshe. Ai më befasoi kur ngriti dolli për ditëlindjen time. Më habiti, si mundet ky njeri mes këtyre emocioneve për premierën të kujtohej edhe për ditëlindjen time. C't'ju them më unë(Qan). Ky ishte Agron Alija.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut