njerëzve që benin presion, mes të cilëve atë të Zef Brozit që ishte asokohe kreu I komisionit të ligjeve që e kërkonte të dënohej me çdo kusht, si dhe emrin e këshilltarit të Presidentit të atëhershëm, Berisha, Theodhori Sollaku.
Ndërkohë që emri i tretë për të, ish-kreu i hetuesisë së përgjithshme Prelë Martini ishte një jurist e penalist jo i mirë, por me mbështetje nga lart.
Në vijim të intervistës së djeshme, në lidhje kërkesën tuaj asokohe me cilësinë e prokurorit të apelit për lirimin në sallën e gjyqit të Fatos Nanos, do donim të dinim mendimin tuaj nëse dënimi i kreut të opozitës së asaj kohe ishte dënim politik?
Fatos Nano u arrestua në vitin 1992 nën akuzën e vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës. Fabula e akuzës ishte: Fatos Nano ka favorizuar dhe ndihmuar firmën "Levante Co" në vjedhjen e ndihmave të dërguara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë gjatë viteve 1991-1992.
Pra kishte favorizuar të tretët në vjedhje...?
Nënvizoj se këto qëndrime të akuzës shqiptare theksohesin me forcë që në fillim, sepse Fatos Nano nuk akuzohej se ka vjedhur vetë, por ka ndihmuar
të tretët në vjedhje, siç ishte firma "Levante Co". Deri këtu çdo jurist i çdo vendi mund të mendonte se shteti shqiptar nëpërmjet organeve të ndjekjes
penale mund të kishte grumbulluar të dhënat që sjellin dëshmi se Fatos Nano mund të kishte kryer krimin, për të cilin akuzohej.
Ndërkohë që drejtësia shqiptare kishte filluar hetimin, dhe nga pala italiane bëhej hetim intensiv, kishin të njejtën akuzë...?
Duke qenë se pala shqiptare, pra Prokuroria e Tiranës kishte filluar procedurat kundër Fatos Nanos, për këtë vepër penale duhej ndërtuar fabula e lartpërmendur ku si vjedhëse akuzohej kompania italiane "Levante co" dhe Fatos Nano dhe drejtuesit e tjerë shqiptarë ishin ndihmësa të kësaj kompanie që kishte realizuar vjedhjen. Prokuroria e Romës kishte filluar procedimin penal kundër drejtuesve të kompanisë "Levante Co" dhe po me këtë akuzë dhe me të njejtën fabul si prokuroria shqiptare. Në këtë situate hetimi paralel vijonte si në prokurorinë e Tiranës ashtu dhe në prokurorinë e Romës.
Pavarësisht se kishin filluar hetimet për të njëjtën çështje, rrugët e hetimit mes prokurorisë dhe gjykatës së Tiranës me homologet e tyre të Romës u ndanë, pse? Pas disa kohësh, teksa ka marrë parasysh të gjitha provat e mundshme, Gjykata e Romës nuk e mori parasysh kërkesën e prokurorisë së Romës dhe vendosi pushimin e çështjes penale kundër drejtuese të kompanisë së shpërndarjes së ndihmave në Shqipëri, "Levante co" mearsyetimin se vepra penale nuk qëndron, pasi ndihma e KE në Shqipëri ka qënë në rregull, është ndarë sipas rregullit. Pra mungojnë elementët e veprës penale.
Dhe drejtësia shqiptare vijoi sërish rrugën e saj të dënimit të Nanos...?
Pavarësisht këtij vendimi të Prokurorisë e të Gjykatës së Romës në Itali që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me veprimtarinë e Fatos Nanos dhe të të akuzuarve të tjerë në Shqipëri, pra ishin nën hetim paralel, prokuroria dhe gjykatata shqiptare vazhdonin të qëndronin në të njejtin "kalë" ku i kishte vendosur politika e asaj kohe. Ata vazhdonin të mbronin akuza dhe të jepnin vendime fajësie për vepra penale që gjykata e Romës e kishte dhënë verdiktin e saj, që vepra penale me ndihmat s'është kryer.
Dhe ju mendoni se pikërisht në këtë moment filloi politizimi i çështjes së Fatos Nanos dhe mbajtja e tij në burg...?
Pikërisht këtu filloi në mënyrë të hapur politizimi i çështjes dhe pas këtij momenti mund të thuhet nga cilido se Fatos Nano mbahej i arrestuar dhe dënohej nga gjykata shqiptare pa kryer asnjë faj penal (kjo e provuar tashmë) por vetëm sepse ishte kryetari I opozitës shqiptare, pasi u provua se nuk kishte kryer asnjë lloj vepre penale të parashikuar nga legjialacioni shqiptar i kohës. Pra, citojmë dhe njëherë me bindje të plotë se mbajtja në burg e Fatos Nanos ishte tërësisht politike, pasi u dha vendimi i Gjykatës së Romës në Itali dhe duke cituar se në lëvrimin e ndihmave të dërguara nga KE në Shqipëri dhe të ndara nga firma "Levante co" nuk ka patur vjedhje, pronarët dhe drejtuesit e kësaj firme nuk kanë vjedhur. çdo gjë është e qartë jo vetëm për jurtistët por dhe për çdo qytetar të përgjegjshëm.
Argumenti juaj në lidhje me mbajtjen e Fatos Nanos në mënyrë të padrejtë në burgun Bënçës, pas vendimit të Gjykatës së Romës?
E thënë ndryshe dhe me fjalë të thjeshta, si mund të mbahet në burg dhe të dënohet ndihmësi kur ekzekutuesi dhe përfituesi nuk paskan kryer vepër penale. Si ka mundësi që drejtuesit e pronarët e kompanisë italiane "Levante Co" të cilët u akuzuan se kanë vjedhur ndihmat e dërguara nga KE në Shqipëri dhe në këtë vjedhje qënkan ndihmuar nga Fatos Nano dhe njerëzit e tij, të deklarohen të pafajshëm dhe Fatos Nano me cilësinë e ndihmësit të kësaj kompanie, që është pretenduar se ka vjedhur, të mbahet në burg dhe aq më tepër të deklarohet fajtor? Kjo është e pamundur dhe tregon se akuza ka qënë pastërtisht politike.
Ju mendoni se ka qënë tërësisht e paramenduar që Fatos Nano çfarëdo gjë që të ndodhte duhej të dënohej nga drejtësia...?
Unë them që të gjitha veprimet e prokurorisë dhe të gjykatave shqiptare, të paktën pasi këto organe kanë marrë dijeni për vendimin penal të gjykatës së Romës për kompaninë e "Levante Co", nuk kanë asnjë lloj lidhje me drejtësinë, por vetëm me politikën dhe pushtetin e asaj kohe. Deri më tani në veprimet e organeve të drejtësisë shqiptare ndahen në dy faza. Ku e para është që nga fillimi i akuzave, pretendimeve, arrestimi e gjykimi në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë, deri sa prokuroria dhe gjykata shqiptare njihet me vendimin penal të Gjykatës së Romës që pushoi çështjen kundër drejtuesve të kompanisë "Levante Co" me argumentimin se krimi nuk është kryer.
Mendoni se ka pasur presione ndaj prokurorisë së Tiranës por dhe gjykatës së kryeqytetit që Fatos Nano të dënohej patjetër?
E përmendëm si moment të veçantë arrestimin e Fatos Nanos pasi unë e di mjaft mirë se çfarë presioni është ushtruar mbi prokurorët e Prokurorisë së rrethit Tiranë në atë kohë, të paktën nga tre persona. Sot më vjen keq për dy prej tyre që paten rënë në ato pozita, pasi kanë qënë juristë dhe penalistë të mirë, siç është z.Zef Brozi atëherë kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe z.Theodhori Sollaku, atëherë këshilltar i Presidentit të atëhershëm Sali Berisha. Ndërsa për të tretin nuk më vjen keq, pasi unë kam patur bindjen se nuk ka qënë ndonjëherë jurist dhe penalist i mirë, dhe ky është Prelë Martini, në atë kohë kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe anëtar i KLD.
...Mendoni se janë penduar, pasi Brozi kërkoi një vit pas jush lirimin e Nanos nga salla e gjyqit...?
Mendoj që është penduar dhe i është rikthyer ndërgjegjia juridike si jurist. Ky është mendimi im.
Po mendoni se ka pasur ndërhyrje nga ana e njerëzve të caktuar të PS për ta lënë në burg Fatos Nanon...?
Nuk ka pasur ndërhyrje nga ana e njerëzve të caktuar në PS, por me sa di unë ka pasur një interes për ta liruar, ka pasur dy avokatë që kanë bërë gjithçka për të. Por se çfarë është bërë prapa krahëve nuk mund ta di.
Fatos Nano pasi doli nga burgu, kërkoi pafajsinë të cilën e mori. Komenti juaj?
Faza e dytë e këtyre veprimeve fillon pas njohjes me këtë vendim të drejtësisë italiane, ku erdhi lirimi I Fatos Nanos. Në këtë fazë janë të provuara me të gjitha provat dhe argumentet se Fatos Nano ishte i burgosur politik i cili mbahej në burg vetëm e vetëm se ishte kryetari i opozitës shqiptare në atë kohë, pa kryer asnjë lloj krimi dhe vepre penale. Këto që cituam më lart u pranuan qartë gjatë fazës së rishikimit të vendimeve penale kundër Fatos Nanos në vitin 1999, nga ku me të drejtë u prishën të gjitha vendimet që e deklaronin fajtor atë dhe duke u pushuar çështja, ku Fatos Nano u deklarua i pafajshëm sepse s'kishte kryer asnjë lloj vepre penale.
Mendoni se dënimi i gabuar dhe politik i ish-liderit të opozitës Fatos Nano duhet të shërbejë si mësim për drejtësinë shqiptare?
Në këtë drejtim unë mendoj se në këtë fushë, ndonëse kanë kaluar shumë kohë, ky pësim duhet t'ju shërbejë të gjithë punonjësve të drejtësisë që të nxjerrin mësime dhe të mos ndikohen nga politika në dhënien e drejtësisë, por t'u bëjnë ballë sulmeve të politikës nga çdo krah që t'u vijë, qoftë dhe duke riskuar ndonjëherë. Pasi ndoshta vjen një kohë që do u rizgjohet ndërgjegjia dhe do u vijë rëndë e keq për veprimet e tyre. Po kështu dhe politikanët në përgjithësi dhe krerët e politikës në veçanti nëse aspirojnë dhe duan një sistem drejtësie të pavarur me të vërtetë, të ndalojnë sulmet ndaj saj, pasi po e çorientojnë e dëmtojnë rëndë me sulmet e tyre të pandërprera e shumë bajate vetëm për interesa politike.
(aq/shqiptarja.com)