Ishte e pritshme në fakt-ndërhyrja e dhunshme në Kapitol në Uashington, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, më 6 janar, saktësisht një vit më parë. Kjo sepse edhe para hapjes së qendrave të votimin në zgjedhjet e kaluara presidenciale, presidenti i atëhershëm Donald Trump thoshte se shkaku i vetëm që ai mund të mos i fitojë zgjedhjet mund të jetë manipulimi i tyre. Kështu Trumpi dhe miliona simpatizantë të tij bën të ditur se nuk do ta pranojnë humbjen.
Pak para një grusht shteti të vërtetë
Ai humbi. E mbështetësit e tij radikalë sulmuan Kapitolin ditën kur Kongresi donte të miratonte zyrtarisht zgjedhjen e Joe Biden-it. Këto imazhe tronditën botën. Por ne e kuptuam vetëm së fundi, para disa javësh, se sa afër një grusht shteti të vërtetë ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm falë reagimit të disa zyrtarëve nuk ndodhi gjakderdhja në ndërtesën e Kapitolit, me një zëvendëspresident të vdekur. Të vdekur, sepse ai donte t’u bindej rregullave demokratike, e jo urdhërave të presidentit. Kjo ishte vërtet shumë pranë.
Ajo që do të duhej të ishte një thirrje për zgjimin e të gjitha forcave demokratike, pavarësisht përkatësisë partiake, është shndërruar në një peng tjetër në spektaklin destruktiv politik amerikan. Republikanët po përpiqen edhe sot e kësaj dite të pengojnë zbardhjen e asaj që ka ndodhur atë ditë. Në vend të zbardhjes së ngjarjeve dhe kthimit në një garë politike për argumentin më bindës, që përfshin edhe respektimin e një mendimi ndryshe, përçarjet janë thelluar.
Humbjet e demokratëve
Prej ditës së parë të epokës së presidentit Joe Biden, republikanët kanë nisur përgatitjet për fushatën e ardhshme presidenciale. Ndërkohë që demokratët në pushtet po zhvillojnë beteja mes krahëve të ndryshëm brenda partisë, për shkak të pandemisë korona. Republikanët po parandalojnë ndihmën e rëndësishme financiare shtetërore, në mënyrë që administrata e Bidenit të mos mund të mbledhë asnjë pikë politike për fushatën e ardhshme zgjedhore.
Por më të rrezikshmet janë ndryshimet në zonat zgjedhore, të cilat i kufizojnë të drejtat elementare demokratike të zgjedhësve me ngjyrë dhe të pakicave të tjera. Ndërkohë që ka edhe kërkesa të cilat në thelb synojnë vetëm një qëllim: Të parandalojnë votuesit e mundshëm demokratë që të votojnë.
Boshti nuk është i sigurt
Shtetet e Bashkuara janë me të drejtë krenare për arritjet e lëvizjeve për të drejtat civile. Sado i papërsosur të jetë vendi, boshti i demokracisë me të drejtë vote për të gjithë qytetarët dukej i sigurtë.
Por kjo nuk është më kështu. Në një vend ku falë rregullave të lojës në rrjetet sociale është më e lehtë për teoricienët e konspiracionit racist të dominojnë klimën politike, sesa për presidentin në detyrë, duhet të përgatitesh për më të keqen. Për momentin, të paktën, duket se askush nuk ka një përgjigje konkrete se si të parandalohen populistët, të cilët janë gati të përmbysin sistemin për të siguruar një pushtet të përhershëm. /DW