Deklaratat tatimore, të redaktuara, të ish-presidentit republikan Donald Trump do publikohen për median ditën e premte, kjo pas një kohe të gjatë gjyqesh dhe kërkesash. Ky lajm është bërë i ditur nga zëdhënësi i Komisionit për Taksat i Dhomës së Përfaqësuesve. Dokumentet që do të publikohen do të jenë deklarata të ish-presidentit Trump në kohën kur ai shërbeu si i tillë, në vitet 2015-2021.
Kjo dosje, që pritet të bëhet publike të premten, pati një histori të gjatë gjyqësore, pasi komisioni i kontrolluar nga demokratët mori dosjet e Trump muajin e kaluar si pjesë e një hetimi mbi taksat e tij. Kjo çështje përfundoi me vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së , e cila favorizoi komisionin. Komisioni publikoi një raport ku thuhet se Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme theu rregullat e veta duke mos hetuar deklarimet e taksave të Trump për tre nga katër vitet e presidencës së tij.
Demokratët në këtë komision thanë se bërja publike e dosjes ishte e nevojshme për të kuptuar kontekstin e raportit të tij, i cili përfshinte gjithashtu dhe një ligj që do t’i jepte mandat Shërbimit të Ardhurave të Brendshme (IRS) të auditonte presidentët.