”Që nga viti 1992, Forcat e Armatosura administronin rreth 194.000 ton municione luftarake, të depozituar në qindra magazina, depo e tunele dhe të shpërndarë në të gjithë vendin”, tha ai.
Në vitin 2009 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm hartuan planin e veprimit për asgjësimin e rreth 85.000 ton municione të llojeve e kalibrave të ndryshëm, të cilat kishin mbetur nga regjimi i së kaluarës
Spahia tha se është ngritur grupi i punës për përgatitjen e Planit të Veprimit për asgjësimin e municioneve të tepërta dhe detajimin e të gjitha hapave që do të ndërmerreshin për trajtimin e këtyre municioneve, me synim eliminimin e gjithë sasisë së municioneve të tepërta brenda vitit 2013.
Në vijim ai shtoi se ky proces do të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të 2013, ndërsa falenderoi të gjithë ushtarakët dhe punonjësit civil që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen në realizimin me sukses të plotë të këtij procesi të vështirë dhe të rrezikshëm.
BASHKËPUNIMI
Për të realizuar me sukses këtë detyrë, nënvizoi Spahiu, u desh një koordinim më eficent në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përmirësimi i bazës ligjore për zbatimin e kësaj detyre të rëndësishme. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u ngrit Bordi Drejtues për Asgjësimin e Municioneve të Tepërta në Forcat e Armatosura. Ky bord ngriti grupin e punës për përgatitjen e Planit të Veprimit për asgjësimin e municioneve të tepërta dhe detajimin e të gjitha hapave që do të ndërmerreshin për trajtimin e këtyre municioneve, me synim eliminimin e gjithë sasisë së municioneve të tepërta brenda vitit 2013.
METODAT E DEMONTIMIT
Në vijim të fjalës së tij, Zv.ministri Spahiu shpjegoi metodat e përcaktuara për asgjesimin e municioneve të tepërta, siç janë asgjësimi me demontim industrial në uzinat ushtarake, asgjësimi me detonim dhe djegie të hapur në poligone, reduktim i sasisë së municioneve nëpërmjet qitjes dhe garave të qitjes, si dhe eksport i municioneve nëpërmjet shitjes ose dhurim vendeve partnere.
” Gjatë vitit 2011 u shkatërruan 26.613 ton municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, nga 25.000 ton që ishin planifikuar. Ndërsa sasia totale e municioneve të asgjësuar gjatë viteve 2009-2011, është 53.806 ton. Ndërkohë, në kuadër të reformimit të FA, sasia në total e municioneve që kanë mbetur tepër dhe për asgjesim gjatë periudhës 2012-2013, është rreth 38.845 ton municione, prej të cilëve 26.000 ton do të eliminohen gjatë vitit 2012”, tha zëvendësministri.
Një vend të veçantë në fjalën e Spahia zuri puna që po bëhet dhe do të vijojë të bëhet për realizimin e demontimit të municioneve të tepërta të mbetura gjatë vitit 2012 dhe deri në përfundim në vitin 2013.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe strukturat vartëse, kanë marrë të gjitha masat për vazhdimin e asgjësimit të municioneve të tepërta sipas Planit të Veprimit gjatë vitit 2012 dhe përfundimin e këtij procesi brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2013”, - është shprehur zv. ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia.
(aq/shqiptarja.com)