E shtuna e 24 shtatorit është vendimtare për kombëtaren në Ligën e Kombeve, ndërsa prej dy ditësh kuqezinjtë stërviten në qendrën e grumbullimit në Durrës. Kundër Izrealit në transfertë opsioni i vetëm është fitorja nëse duam vendin e parë, por Reja së fundmi ka humbur edhe Keidi Baren e Endri Çekiçin, të cilët do zëvendësohen nga Enis Çeokaj dhe Arbnor Muçolli. Sakaq siç dihet për shkak dëmtimi mungojnë mbrojtësit themelor si Gjimshiti e Kumbulla, ndërsa së fundmi si opsion për ti zëvendësuar është përmendur mesfushori Klaus Gjasula.
“Po te klubi im ishte një situatë kur patëm shumë mbrojtës të vramë dhe që nga ndeshja e dytë e sezonit kam luajtur aty. Prej atij momenti trajneri është i kënaqur dhe kam luajtur në atë pozicion. Për mua nuk ka rëndësi ku luaj, por të luaj. Për në kombëtare e di trajneri sepse nuk e di cilat janë planet, por do e shohim,”-u shpreh Klaus Gjasula, futbollist i Kombëtares.
Pavarësisht humbjes në qershor Gjasula thotë se këtë herë situata do jetë ndryshe.
“Kemi mundësitë tona për të fituar ndeshjen. E dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje për të aritur objektivin tonë. Kështu që duhet të jemi optimist,”-tha Klaus Gjasula, futbollist i Kombëtares.
Nga këto ndeshje pritet shumë nga Kristjan Asllani, por mesfushori i cili aktivizohet me Interin ka marrë shumë pak minuta këtë sezon.
“S’kam luajtur, por është normale se jam 20 vjeç dhe gjendem në një ekip shumë të fortë. Kam para një lojtar si Brozovic dhe po mësoj shumë nga ai,”-deklaroi Kristjan Asllani, futbollist i kombëtares.
Pas sfidës me izrealin më 24 shtator, 3 ditë më pas, kombëtarja do luajë kundër Islandës sfidën e fundit për këtë edicion në Ligën e Kombeve.