Rruga pranë liqenit të Gjinarit, fshat turistik i Elbasanit, ka pësuar dëmtime në infrastrukturën e saj. Pas kësaj situate bashkia e Elbasanit përmes një reagimi thekson se rrëshqitja është shkakuar si pasojë e erozionit.

Bashkia nënvizon se objekti është ende në afatin kohor të garancisë dhe kompania do të marrë përsipër të gjithë ndërhyrjen për riparim.

Aktualisht është bërë mbushja e çarjes që ka pësuar pjesa fundore e rrugës për të bërë të mundur kalimin normal të mjeteve.

"Në lidhje me rrëshqitjet e tokës në pjesën fundore të aksit rrugor Gjinar-Liqeni i Pashtreshit, Bashkia Elbasan sqaron: Bashkia e Elbasanit është njohur me problematikën që në momentin e parë që ka ndodhur. Specialistët tanë, por edhe ata të kompanisë zbatuese të projektit gjykojnë se rrëshqitja ka ardhur si pasojë e erozionit.

Me shkresën nr.prot. 6250 i kemi drejtuar shqetësimin investitorit dhe firmës zbatuese. Sa më sipër, në përmbushje të detyrimeve kontraktuale, objekti është ende në afatin kohor të garancisë dhe kompania do të marrë përsipër të gjithë ndërhyrjen për riparim.

Aktualisht është bërë mbushja e çarjes që ka pësuar pjesa fundore e rrugës për të bërë të mundur kalimin normal të mjeteve. Në asnjë moment nuk është penguar qarkullimi.

Kemi marrë garancinë nga firma zbatuese se ndërhyrja përfundimtare do të bëhet e mundur vetëm gjatë muajve të verës, kur niveli i liqenit ulet dhe ndërhyrja është më efikase.

Ndërhyrja do të përfshijë disiplinimin e shtratit të liqenit dhe sistemimin përfundimtar të rrugës. Duke ju kërkuar ndjesë përdoruesve të rrugës, Bashkia Elbasan garanton se deri në ndërhyrjen përfundimtare, aksi do të mirëmbahet për të qenë lehtësisht i kalueshëm", thuhet në njoftim.