Situata në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në aksin Librazhd-Përrenjas është përkeqësuar gjatë orëve të fundit për shkak të rrëshqitjeve të dheut.

ARSSH-ja ka vendosur ndalimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve për arsye sigurie.

Sot është paralizuar plotësisht lëvizja e qytetarëve me autobusë nga Korça e Pogradeci drejt Tiranës dhe anasjelltas.

Si pasojë, është paralizuar dhe transporti i mallrave dhe udhëtareve drejt doganës së Qafë-Thanës dhe asaj të Kapshticës.

Drejtuesit e mjeteve të rënda dhe operatorët e transportit udhëzohen të përdorin rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Njoftimi i ARRSH:

Në vijim të njoftimit të mëparshëm për aksin Librazhd-Pogradec vendi i quajtur Arrat e Gurrës, ju informojmë se situata në vendin e rrëshqitjes është agravuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit.

Pas vlerësimit në terren, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në koordinim me Policinë e Shtetit, njofton se:

Do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe i autobusëve në këtë segment, deri në një njoftim të dytë, për arsye sigurie.

U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe operatorëve të transportit të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugë alternative, deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.

Lajm në përditësim...