Demush Shasha: Udhërrëfyesi për mbrojtjen e demokracisë

Demush Shasha: Udhërrëfyesi për mbrojtjen e demokracisë

Asnjëherë më parë civilizimi nuk ka qenë më i bekuar. Jetojmë në kohën e paqes më të gjatë globale që ka njohur civilizimi. Asnjëherë më parë nuk kanë kaluar shtatëdhjetë vjet nga konflikti global në mes njerëzimit. Globalizmi dhe tregtia e hapur kanë nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria. Rrjedhimisht sot në përgjithësi njerëzit mendojnë se kemi gjetur formulën e suksesit për njerëzimin. Tani vetëm do të shkojmë përpara, asgjë nuk mund të shkojë gabim – do të thoshin madje edhe njerëz të arsyeshëm. Por, fatkeqësisht historia na mëson që shumëçka mund të shkojë gabim. Dhe me gjasë do të shkojë gabim. Historia nuk përsëritet, por ajo paralajmëron. 

Në shekullin e kaluar paraardhësit tanë menduan njëjtë sikur ne sot. Atëherë - sikur sot - globalizimi dhe tregtia çdoherë në rritje në mes popujve ishin arsye për optimizëm të gjithmbarshëm. Sidoqoftë këto shpresa u sfiduan nga një vizion i ri i politikave populiste, ku disa liderë në botë insistuan se vetëm ata përfaqësojnë vullnetin e vërtetë të popullit. Kësisoj në fillim të shekullit XX demokracitë evropiane kolapsuan në autoritarizëm dhe fashizëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik zgjeroi komunizmin në gjysmën e Evropës. 

Kur gjermanet kanë votuar në zgjedhje të vitit 1932, kur çekët dhe sllovaket kanë votuar në vitin 1946, ata nuk kanë qenë të vetëdijshëm që po votojnë për herë të fundit në zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nazistët do të ngelin në pushtet deri në vitin 1945, ndërsa komunistët çekosllovakë deri në vitin 1989. “Vigjilenca e përhershme është çmimi i lirisë”, supozohet të këtë thënë Thomas Jeffersson. Historia e rënies së demokracive evropiane në shekullin XX ka vërtetuar rëndësinë e këshillës së tij. Demokracitë që u ngritën pas luftës së Parë dhe të Dytë botërore kolapsuan kur një parti dominuese mori gjithë pushtetin si pasojë e zgjedhjeve apo grusht shtetit. Pasi që morën pushtetin dhe të frymëzuara nga një ideologji e caktuar ata përmbysën gjithë sistemin politik. 

Fashizmi dhe komunizmi ishin reagim frustrimi ndaj globalizmit. Reagim ndaj pabarazive që kishte shkaktuar si dhe paaftësisë së demokracive për t’i adresuar ato pabarazitë. Shumë kohë më parë Aristoteli kishte paralajmëruar se pabarazia sjell kaos. Po ashtu fashizmi dhe komunizmi ofruan zgjidhjet e lehta për probleme komplekse. Fashizmi zëvendësoi diskutimin e arsyeshëm për faktet dhe të vërteten objektive me një rrëfim mitik për lavdinë e popullit dhe konspiracionin e botës kundër tij. Komunizmi nga ana tjetër sundoi përmes partisë-shtet duke vendosur monopolin mbi fjalën e lirë dhe duke premtuar ardhjen e një begatie universale. 

Historia e shekullit XX na mëson se demokracinë asnjëherë nuk mund ta marrim për të mirëqenë. Shoqëritë mund të kolapsojnë, demokracitë mund të rrënohen, institucionet mund të dështojnë dhe njerëzit e rëndomtë mund gjejnë veten me armë në dorë duke futur komshinjtë e tyre në dhoma gazi. Kjo është edhe arsyeja përse demokracia ka nevojë për neve. Secilin prej nesh. Ajo kërkon angazhimin tonë ditor.

Ajo kërkon që të jemi vigjilentë ndaj diktatorëve në ardhje. “Më kanë mashtruar” nuk është arsyetim në politikë, kishte këshilluar prej kohesh Leszek Kolakowski. A është e mundur që rendi botëror perëndimor të kolapsojë? Patjetër se po. Presidenca e dytë e Trumpit do të vazhdojë të ndryshojë karakterin e demokracisë amerikane. Kur “founding fathers” kishin debatuar për ngritjen e shtetit amerikan, ata ishin të vetëdijshëm se kërcënimi më i madh për shtetin e ri nuk do të vinte nga jashtë, por nga brenda.

Ata kishin dyshimin nëse populli amerikan do të jetë i aftë të mbajë Republikën, në fjalët e Benjamin Franklinit. Këtu më afër shtëpisë sonë forcat antidemokratike janë duke u forcuar çdo vit e më shumë. Në Gjermani dhe Francë ardhja në pushtet e ekstremeve të djathta është skenar tanimë real. Pushtimi rus i Ukrainës është duke frikësuar Bashkimin Evropian se dhuna si mjet i zgjidhjes së problemeve është kthyer në kontinentin evropian. Atëherë në gjithë këtë mes çfarë mund të bëj unë? A ka diçka që mund të mësojmë nga kolapsi i demokracive në shekullin e kaluar e që mund të na hyjë në punë sot? Këto janë pyetjet të cilat kanë shtyrë historianin Timothy Snyder të shkruajë librin “Për Tiraninë: njëzet mësime nga shekulli njëzet”. Libri në vetëm 100 faqe është menduar të jetë si një udhërrëfyes qytetar për mbrojtjen e demokracisë.

Dhe ndonëse libri nxjerr mësime nga shekulli i kaluar është ngushëlluese të kuptosh se gjërat që po shohim sot në fakt nuk janë të reja: liderët që dëshirojnë të bëhen diktatorë, partitë që dëshirojnë të bëhen shtet, pushtet i cili dëshiron të shkatërrojë opozitën, gjykatat dhe mediat, propaganda politike e cila synon të suspendojë arsyen - të gjitha këto që shohim sot anembanë botës kemi parë në shekullin e kaluar.

Ky është edhe avantazhi ynë sot. Kemi luksin e mësimit nga gabimet e paraardhësve tanë. 
Kjo është edhe arsyeja përse e kam parë të dobishme që dy kolumnet e radhës t’ua dedikoj pesë mësimeve që mund të nxjerrim nga kolapsi i demokracive të shekullit të kaluar. Në kolumnen e parë do të shohim përse sa herë liderët flasin për rrethanat e “jashtëzakonshme” duhet t’i ndezim alarmet e demokracisë.

Fjalori i “jashtëzakonshmërisë” historikisht ka për qëllim krijimin e një mjedisi alarmues dhe ngritjen e një sensi të pasigurisë tek qytetarët me qëllim të përmbysjes së rendit ekzistues demokratik nën vellon e rrethanave “të jashtëzakonshme”.

Kur një herë kalohet ajo urë është vështirë të kthemi mbrapa. Po ashtu do të shohim pse duhet të jemi shumë vigjilentë sa herë dëgjojmë thirrje për shfaqje të lojalitetit ndaj ideologjive të caktuara dhe ndarjen e qytetarëve në grupe të llojit “ne” dhe “ata”. Historikisht ndarjet e tilla përfundojnë në tragjedi. Do të shohim përse fillimi i fundit të demokracisë është kur refuzojmë të bëjmë dallimin në mes të vërtetës dhe asaj që kemi qejf me qenë e vërteta.

Kolumna e dytë do të shikojë përse kompromiset e vogla ndaj autokratëve u japin jetë terrorit të madh dhe pse nuk guxojmë të tolerojmë çfarëdo përpjekje minimale të autoritarëve në ardhje kur fillojnë të tregojnë vetitë diktatoriale. Po ashtu do të shohim pse institucionet kanë nevojë për ndihmën tonë dhe përse ato vetvetiu nuk mund t’u mbijetojnë kohërave të këqija. Fillimi i fundit të tyre është fillimi i fundit të demokracisë.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Epik: 11/10/2024 09:52

    Hajde analize hajde! Permendet Aristoteli, baballaret e kombit amerikan, Tomas Xhefersoni, te cilit autori ia gabon mbiemrin, etj etj. Shasha jep opinion per probleme globale, nderkohe qe nuk merr as votat e katundit te vet po qe se do te kandidonte. Asht per t'u habit qe shqiptarja.com i jep hapesire ketij autori deluzional, qe duket sikur ban hajgare kur shkruen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve