Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke ndarë foton e një të riu me uniformë ushtarake dhe mesazhin: “Mos u mërzit, vëllai i vogël!”.

Bardhi e cilëson vendimin të padrejta dhe thekson se asnjë vendim gjykate nuk mund të ndryshojë historinë apo karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës. 

"Mos u mërzit, vëllai i vogël!  Kosova është e lirë falë atyre që luftuan e dhanë jetën për lirinë. Ne jemi krenarë për ta! Historia është shkruar, ajo nuk mund të ndryshohet me vendime të padrejta. Kokën lart, shqiptar! Sot është një ditë e rëndë për Kosovën dhe për mbarë kombin shqiptar. Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me qytetarët e Kosovës, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe me të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës.

Vendimet e shkallës së parë janë thellësisht të padrejta dhe të pamerituara. Gjykata rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimet e saj u mbështetën në përgjithësime dhe pretendime që prej vitesh përdoren nga propaganda e Beogradit kundër UÇK-së.

Asnjë vendim gjykate nuk mund ta rishkruajë historinë, të barazojë viktimën me agresorin apo të errësojë karakterin çlirimtar të luftës së popullit të Kosovës. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin përfaqësues dhe drejtues të UÇK-së. Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e popullsisë civile nga gjenocidi serb dhe në çlirimin e Kosovës.

Është koha për unitet kombëtar, maturi dhe vetëpërmbajtje. Në asnjë rrethanë emocionet nuk duhet të cenojnë rendin, qetësinë dhe stabilitetin e Kosovës. Çdo akt dhune do të ishte i papranueshëm dhe në dëm të Kosovës", shkruan Bardhi. 


Lajmi kryesor:

Dënimi i liderëve të UÇK-së, Shqipëria e Kosova njëzëri: Vendim i papranueshëm! Kurti: Nuk përfaqëson vullnetin e popullit! Rama: Marre