Pas dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vite burg nga Gjykata e Hagës, djemtë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit janë kthyer në Kosovë.

Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli u pritën në aeroportin “Adem Jashari” nga dhjetëra qytetarë, të cilët brohoritën “UÇK, UÇK” në shenjë mbështetjeje për ta dhe familjet e tyre.

Në një prononcim për mediat, Endrit Thaçi e cilësoi Gjykatën Speciale si "gjykatë kriminale", ndërsa shprehu besimin se vendimi do të ndryshojë në Apel.

“Gjykatë kriminale, por besojmë do të kthehen të pafajshëm pas Apelit”, tha ai ndërsa u prit nga qytetarët.

Edhe Klestor Veseli u shpreh optimist për procesin në Apel dhe falënderoi qytetarët për mbështetjen.

“Ne jemi pozitivë që në Apel ka me u ndryshu gjendja për të mirë, por në të njëjtën kohë nuk mundem pa i falënderu njerëzit e mirë të Kosovës, të popullit shqiptar që na kanë përcjellë gjithkund edhe kanë ardhë pas neve. Ju faleminderit shumë”, u shpreh ai.

Qindra qytetarë vijuan me protestat në Prishtinë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe u zhvendosën sërish në zyrat e EULEX duke qëlluar me gurë dhe me mjete piroteknike. 2 protestues u shoqëruan në polici, njëri prej të cilëve u la i lirë, ndërsa tjetri po mbahet në qeli.

Gjykata e Hagës dënoi me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, 18 vite Kadri Veselin dhe 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte, ndërsa rrëzoi akuzën për krime kundër njerëzimit. Mbrojtësit ligjorë dhe familjarët thonë se do ta apelojnë vendimin, të cilin e quajtën të padrejtë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:40
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Protestë deri në orët e vona në Prishtinë, qytetarët hedhin gurë e mjete piroteknike drejt zyrave të EULEX, merr flakë çatia (VIDEO)

 

Protestat kundër dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë vijuan deri në orët e vona të mbrëmjes në Kosovë. Pasi u shpërndanë nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, një pjesë e protestuesve u zhvendosën sërish drejt objektit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

Protestuesit hodhën gurë dhe mjete piroteknike drejt ndërtesës. Si pasojë, një pjesë e vogël e çatisë mori flakë. Në zonë u shtua prania e forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Policia shoqëroi dy protestues. Njëri prej tyre u la i lirë, ndërsa tjetri vijon të mbahet në qeli.