Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, duke shprehur indinjatën dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit.
Në një deklaratë për mediat, PDK e cilëson aktgjykimin një padrejtësi të madhe, duke pretenduar se ai mbështetet në materiale të fabrikuara nga Serbia për të kriminalizuar luftën e UÇK-së.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë, por historia e Kosovës është shkruar në Kosovë, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”, thuhet në reagim.
PDK thekson se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi iu përgjigjën vullnetarisht drejtësisë, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
“PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës”, përfundon reagimi.
Lajmi kryesor:
Dënimi i liderëve të UÇK-së, Shqipëria e Kosova një zë: Vendim i papranueshëm, askush s’mund ta njollosë luftën për liri! Rama: Turp
