Duke u ndalur te dënimi i 4 liderëve të UÇK-së, ndonëse akuzon Ramën se ‘bekoi’ ngritjen e Gjykatës Speciale, vetë Berisha e pranon se ajo gjykatë nuk mund të mos ngrihej, por quan të rëndë verdiktin e dhënë ndaj udhëheqësve të luftës për lirinë e Kosovës.

“Ish-udhëheqja politike e UÇK dhe Kosovës mori nga Gjykata e Dhomave të Specializuara verdikte ndër më të rëndat. Jashtë emocioneve, ngritja e Gjykatës së Kosovës, çdo shqiptar në Kosovë duhet ta dijë se ngritja e saj në Hagë është bërë për shkak të një detyrimi.

Në qoftë se Serbia e ngriti në Beograd, Kroacia në Zagreb, kjo gjykatë e Kosovës u ngrit në Hagë për një motiv, për shkak të vrasjes së dëshmitarëve. Kjo është e vërteta. Dhe gjykata nuk mund të mos ngrihej.Gjykata u ngrit edhe për një arsye të dytë, në mënyrë që tribunali për ish-Jugosllavinë të mos aplikohej më tutje në rastin e Kosovës.

Pra, nuk është një akt i paprecedent, secili nga vendet... por problemi është se Kosova ishte e pushtuar, Kosova ishte viktimë e një agresioni barbar, e një pushtimi barbar. Nuk mund të akuzosh tjetrin se ka ngritur institucionin e zbulimit. Të akuzosh se ka marrë në pyetje. Po cila ushtri në luftë, cila lëvizje guerile në luftë nuk merr në pyetje? Pra, shumë elementë që dëgjuam nga vendimi i shkurtuar, vendimin e gjatë nuk e kam parë, ishin larg në vlerësimin tonë justifikimit të atyre dënimeve që dëgjuam”, thotë ai.

Berisha thotë se tani, rruga e vetme është ngritja e një ekipi të fuqishëm mbrojtjeje në apel.

“Ky problem ka apelimin si rrugë të vetme. Të gjitha përpjekjet e tjera, i garantoj qytetarët veçse sa ndërlikojnë tashmë jo vetëm ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, por edhe vetë Kosovën. Ndaj dhe ajo që unë mendoj është e domosdoshme, një ekip mbrojtje sa më kompetent dhe i fuqishëm, ndonëse unë nuk kam asnjë fakt aktual të them se mbrojtja aktuale nuk ishte e fuqishme, por pasi të shqyrtohet vendimi përfundimtar i plotë, unë mendoj se apeli që duhet të ndiqet pa humbur kohë pasi vetë gjykata ka përcaktuar afate.”, thotë Berisha duke shtuar se asgjë nuk mund ta nxijë e damkosë luftën e UÇK-së”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

Berisha: Në SHBA denoncuam aferat e Ramës! Nuk loboj për t’ia ndaluar vizën në Amerikë, por jam i motivuar ta largoj