Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Ai e cilësoi vendimin si një përpjekje për të njollosur luftën çlirimtare, ndërsa kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të ndërmarrin veprime ligjore kundër tij. Sipas Braçes, kjo nuk është më vetëm çështje e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por e çdo shqiptari.

“Në emër të popullit të Kosovës, një gjykatë bëri pis e ndyu luftën e shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë për liri e pavarësi, nder, dinjitet e jetë në paqe në trojet e tyre! Organizimi i popullit jo për të sulmuar kënd, por për t’u mbrojtur, për të mbrojtur vendin e pushtuar, lirinë e hequr dhunshëm, nderin e dinjitetin e marrë prej shtypjes, arrestimit, torturimit, përdhunimit të djemve e burrave, vajzave e grave, vrasjes, pra organizuar si UÇK, u quajt ndërmarrje kriminale!!!!

Domethënë, këta 4 burra, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u vunë nën akuzë për krime kundër njerëzimit, u arrestuan për krime të tilla, u gjykuan për krime të tilla, por edhe kjo gjykatë nuk mundi t’i dënojë për to, nuk ka pasur kurrë krime të tilla! Shqiptarët, sa ka jetë mbi tokë, nuk kanë kryer krime të tilla, kurrë! Pas këtij vendimi, Shqipëria, e ndotur masivisht nga ky proces dhe ky vendim, duhet të ndërmarrë veprime ligjore të qarta kundër tij, për të pastruar emrin e saj, emrin e çdo shqiptari në ato dy rrethet e veriut që shquhen si vende krimesh në këtë vendim; duhet ta bëjë me shpejtësi kundër këtij vendimi të poshtër!

Kosova nuk ka nevojë për mendjen time, por dhe ajo duhet të ndërmarrë veprime ligjore në Kosovë mbi të gjitha dhe kudo, kundër një gjykate që në emër të popullit të Kosovës bën pis e ndyn një vend, një popull; kjo nuk është më çështje e katër burrave që luftuan për liri, të bërë fajtorë për krime lufte që nuk i kanë bërë kurrë, vrasjen e 96 personave konkretisht, por është çështje e një populli të shpallur fajtor pse iu përgjigj me luftë agresorit, pushtuesit! Tani është çështje shqiptare, e çdo shqiptari”, shkruan Braçe.


Lajmi kryesor:

Dënimi i liderëve të UÇK-së, Shqipëria e Kosova një zë: Vendim i papranueshëm! Kurti: Nuk përfaqëson vullnetin e popullit! Rama: Turp! BE apel për përmbajtje