TIRANE - Ambasada e SHBA dhe ajo e Gjermanisë në vendin tonë kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që dënoi Emiljano Shullazin me 14 vite burg. Në një njoftim për mediat, ambasada e SHBA e cilëson këtë vendim si hap domethënës përpara qytetarëve të cilët presin drejtësi nga sistemi gjyqësor. Gjithashtu, ambasada e SHBA vlerëson edhe punën e prokurorëve të cilët bindën gjykatën me prova për fajësinë e Shullazit dhe katër anëtarëve të bandës së tij.

Ambasada e SHBA nuk ndalet me kaq, por insiston për ashpërsim të luftës kundër krimit të organizuar duke theksuar në këtë reagim se qytetarët shqiptarë shtrojnë pyetjen: Kush e ka radhën?. Bosët e krimit dhe kriminelët, sipas ambasadës së SHBA, e kanë vendin në burg.

Dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor. Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën”?

Ambasada e SHBA në Tiranë

Edhe ambasadorja gjermane Tiranë, Sussane Schutz ka përshëndetur vendimin e gjykatës. Ajo inkurajon drejtësinë shqiptare në përballje me krimin e organizuar, kjo edhe si një nga detyrat e Bashkimit Europian për të avancuar procesin e anëtarësimit.  

 

E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri. Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës. Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Sussane Schutz, ambasadore e Gjermanisë në Tiranë

Një ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Emiljano Shullazin me 14 vite burg, ndërsa katër anëtarët e tjerë të bandës u dënuan përkatësisht: 12 vite burg për Gilmando Danin, 10 vite për Indrit Qyqjan, 10 vite për Indrit Zelën dhe 9 vite burg për Blerim Shullazin, për akuzat e gjobëvënies. Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht.