Pas dënimit të dhënë nga Krimet e Rënda për të dënuar me 5 vite burg ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kanë ardhur edhe reagimet e para nga politika shqiptare. I pari që ka reaguar ka qenë kreu i PD, Lulzim Basha i cili e ka konsideruar këtë vendim të gjykatës si të turpshëm. Më pas Basha ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama duke thënë se ai ka kapur sistemin në Drejtësi. 

Tahiri është dënuar vetëm për shpërdorim detyre dhe me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim, por në konvertim sipas Gjykatës kthehet në shërbim prove 3 vite. Sipas vendimit, Tahiri për 5 vite nuk duhet të kryejë funksione publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Vendimi për Saimir Tahirin, Berisha: Mafia e drogës veten nuk e dënon!


Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson të turpshëm vendimin për dënimin e Saimir Tahirit. "Miq, parodia e procesit Tahiri qe sapo perfundoi, fakton ne menyre perfundimtare se mafia e droges veten nuk e gjykon dhe nuk e denon! Ky vendim i turpshem eshte i ngjashem me ato te karteleve, ne te cilat droga, trafiqet jane merite dhe jo krim dhe kumbaret kryesor mbrohen e nuk denohen. Narko prokuroria, siç kane faktuar mediat fakte thelbesore dhe prova perveluese te bashkepunimit te Saimir Trafikut me Habiljat, nuk i vendos dhe si trajton si te tilla ne aktakuzen e saj.

Narko prokuroria kerkon per veprat penale qe e akuzon nga se paku 40 vite burg vetem 12 vite. Narko gjykatesit mezi priten ti kerkonin ndjese Saimir Trafikut se ishte i pafajshem, por te detyruar dhe vetem sa per sy e faqe te shqiptareve dhe nderkombetareve po i japin nje akuze koti per abuzim detyre dhe jo kurre per kanabizimin se bashku me shefin e madh Edvin Mafine te mbare vendit sepse ti o Sajmir Trafiku ke zbatuar vetem porosine e tij.

Si perfundim miq, ky proces deshmon perfundimisht se per narkoshtetin e vetem dhe te pare ne Europe shteti ligjor nuk ekziston. Vetem qytetaret shqiptar me guxim dhe sakrifica mund te nxjerrin fatin e tyre nga kthetrat e mafies se droges te kryesuar nga Edvin Mafia" shkruan Berisha.

Ora 22:34
Dënimi për Tahirin, reagon Basha: Vendim i turpshëm, drejtësia peng i Ramës


Pas dënimit të dhënë nga Krimet e Rënda për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ka ardhur në reagim nga kreu i PD, Lulzim Basha i cili vendimin e ka konsideruar si të turpshëm. 
Ndër të tjera Basha shkruan se Drejtësia sipas tij është kapur nga kryeministri Rama. Më pas Basha vijon duke akuzuar kryeministrin Rama për të cilin thotë se ai bëri gjithçka për të mbrojtur Tahirin. 

" Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit. Vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës. Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi, krimi dhe të pushtetshmit do të jenë të paprekshëm, Shqipëria do të mbetet peng i krimit dhe shqiptarët më të varfër e më të papunë. Vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do ti hapë rrugë drejtësisë së vërtetë dhe mirëqenies për të gjithë shqiptarët."