Në çdo shtet demokratik, llogaridhënia është themel i shtetit të së drejtës. Çdo institucion duhet të japë shpjegime për veprimtarinë e tij përpara organeve të përcaktuara nga Kushtetuta. Në republikat parlamentare, si Shqipëria, ky rol i takon Kuvendit si përfaqësues i sovranit pra popullit. Në letër, kjo është një logjikë e pastër demokratike, pushteti politik që buron nga vullneti i popullit kontrollon pushtetin ligjzbatues që ushtron funksionet nga e drejta që i njeh kushtetuta e miratuar po nga populli me referendum. Për shkak të veçorive të Shqipërisë, kryesisht në degradimin politik të pushtetit në korrupsion, ndodh e kundërta. Në vend që kontrolli të shërbejë për transparencë, ai është shndërruar në një farsë kushtetuese, ku personat që mund të jenë subjekt hetimi marrin në pyetje hetuesit e tyre.
Kjo tablo absurde është produkt i një tranzicioni të gjatë dhe të deformuar politik. Në një shtet me institucione të dobëta dhe me një nivel të lartë korrupsioni, logjika e kontrollit demokratik kthehet shpesh në instrument mbrojtjeje politike. Deputetë që janë, kanë qenë ose mund të jenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme ‘SPAK”, sot pyesin në sallën e parlamentit drejtuesit e atij institucioni për mënyrën si po bëjnë punën dhe detyrën e tyre. Në pamje të parë, kjo mund të duket si ushtrim normal i mbikëqyrjes parlamentare pra edhe formë normale kushtetuese dhe demokratike. Por në thelb, është një përmbysje e funksionit kushtetues, ku prokurori që ngre dhe mbron akuzën ne gjykatë merret në pyetje nga i hetuari ose kandidati për i pandehur dhe i akuzuar në gjykatë.
Ironia është edhe më e madhe po të kujtojmë se vetë Reforma në Drejtësi, e cila solli në jetë SPAK-un dhe GJKKO-n, u miratua nga një parlament me përbërje të kontaminuar nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Kështu, reforma nisi si një projekt për pastrimin e sistemit, por u shoqërua që në lindje me një konflikt interesi strukturor, ligjvënësit që miratuan ligjet ishin potencialisht objekt i zbatimit të tyre.
Sot, kur SPAK-u ka nisur të veprojë realisht, kjo kontradiktë është bërë e dukshme. Hetimet dhe dënimet ndaj ish-ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë kanë krijuar një ndjesi të re përgjegjësie në publik, por edhe një reagim mbrojtës në politikë. Dhe ky reagim manifestohet në Kuvendit, ku drejtuesit e institucioneve të drejtësisë raportojnë çdo vit përpara atyre që mund të jenë në dosjet e tyre. Në vend të transparencës, këto seanca shpesh kthehen në arenë presionesh të fshehta, pyetjesh me nëntekst dhe sinjalizimesh politike.
Në planin kushtetues, raportimi i prokurorisë para Kuvendit nuk është problematik në vetvete. Ai ekziston edhe në shumë demokraci të zhvilluara. Por ndryshimi është se në ato vende, raportimi bëhet për politikat e ndjekjes penale dhe për performancën institucionale, jo për hetimet konkrete. Në Shqipëri, vijat ndarëse mes këtyre koncepteve janë të paqarta. Deputetët shpesh kalojnë kufirin, duke kërkuar llogari për çështje që janë në proces hetimi, duke e shndërruar llogaridhënien në presion.
Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për shtetin e së drejtës. Së pari, e gërryen pavarësinë faktike të drejtësisë, e cila, edhe pse kushtetuesisht e mbrojtur, ndodhet përballë një pushteti politik që ende zotëron mekanizmat e ndikimit publik. Së dyti, e deformon perceptimin qytetar, kur publiku sheh prokurorin që merret në pyetje nga i hetuari, krijohet përshtypja se të gjithë janë njësoj dhe se drejtësia është një lojë pushtetesh, jo një mekanizëm i drejtë barazie. Së treti, ajo rrezikon ta kthejë reformën në drejtësi në një proces të brishtë politik, të varur nga ekuilibrat e momentit.
Në këtë kontekst, Shqipëria ndodhet përballë një pyetje thelbësore: si të ruajë parimin e llogaridhënies pa cënuar pavarësinë e drejtësisë? Zgjidhja nuk qëndron në heqjen e raportimit parlamentar, por në rishikimin e mënyrës si ai ushtrohet. Raportimi duhet të bëhet mbi bazë të indikatorëve të punës, jo të dosjeve penale, mbi transparencën institucionale, jo mbi përmbajtjen e hetimeve. Po ashtu, mund të mendohet për një mekanizëm të ndërmjetëm mbikëqyrës, me përbërje profesionistësh pra teknicienësh te fushës por edhe një minorancë personalitetesh nga fusha që lidhen organikisht me organet e zbatimit të ligjit penal. Kjo zgjidhje do të siguronte më shumë balancën midis kontrollit dhe pavarësisë së pushteteve.
Për sa kohë që në sallën e Kuvendit, ata që duhen hetuar do të pyesin ata që duhet t’i hetojnë, Shqipëria do të mbetet peng i një paradoksi kushtetues, një demokraci ku ligji është në teori i barabartë për të gjithë, por në praktikë, ende i detyruar të japë shpjegime përpara atyre që ka për detyrë të ndëshkojë./Javanews
Komente










