TIRANE- Të gjithë e kanë ndjekur ndeshjen e boksit mes Kreshnik Qatos dhe ukrainasit Rizvan Magomedov në 2008 në Durrës, ku nga kjo përballje është shpallur kampion bote boksieri shqiptar, Kreshnik Qato.

Mirëpo, prapa këtij aktiviteti sportiv ka qëndruar një skemë vjedhje financiare prej rreth 40 milion lekë të vjetra, për të cilën ka pasur dijeni dhe ish-ministri i Kulturës së asaj kohe  Pango. Ndërkohë që të gjitha veprimet abuzive janë kryer nga zyrtarë të Agjensisë së Shërbimeve Sportive, pranë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Hetimet e prokurorisë kanë nisur fill pas një kallëzimi të bërë në 2009, ku veç personave të përmendur më lart ka qënë dhe ish-ministri  Pango, për të cilën janë kryer një sërë veprimesh por më pas, dosja në ngarkim të tij është pezulluar.

Hetimet e njësisë hetimore janë përqëndruar vetëm tek tre zyrtarët e Agjensisë së Shërbimit të Sporteve, të cilët janë marrë të pandehur nga organi i akuzës dhe në datën 22 nëntor të këtij viti gjykata e Tiranës, ka vendosur dënimin e tyre, mes të cilëve Mustafa Tukseferi.

Vjedhje 40 mln lekë
Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, kanë shfrytëzuar shpenzimet financiare që do të bënte kjo ministri për organizimin e ndeshjes ndërkombëtare mes boksierit Kreshnik Qato dhe Rizvan Magomedov. Shpenzimet, kanë qënë kryesisht në akomodimin në hotele, në ndërtimin e ringut të boksit, ndriçimit dhe disa shpenzime të tjera, që bënin fjalë për postera dhe flamunj. Mirëpo, sipas prokurorisë së Tiranës të gjitha këto shpenzime janë kryer mbi një skemë fiktive, duke falcifikuar urdhërat e prokurimit si dhe mandatet e pagesave.

Si pasojë e kësaj skeme është bërë një vjedhje prej 40 milion lekë të vjetra. Për këtë vjedhje njësia hetimore ka ngarkuar me përgjegjësi penale Mustafa Tukseferi, ndërkohë që në hetim ka qënë dhe ish-ministri Pango. Ndaj këtij të fundit hetimet janë veçuar duke vijuar më tej deri në pezullimin e plotë të tyre. Ndërkohë për sa i përket tre zyrtarëve të tjerë është vendosur dërgimi në gjyq, ku dhe një javë më parë dy prej tyre janë dënuar nga gjykata, ndërsa Mustafa Tukseferi është shpallur i pafajshëm.

11 raste të tjera
Veç rastit të vjedhjes së parave publike në ndeshjen e boksit mes Kreshnik Qatos dhe Rizvan Magomedov, njësia hetimore Task-Forcë, ka zbuluar dhe 11 raste të tjerë ku zyrtarët e Agjensisë së Shpenzimeve Sportive kanë abuzuar. Bëhet fjalë për raste të shpenzimeve për servis automjetesh, blerje karburnati, blerje paisja kancelarie dhe disa raste të tjera ku njëri flet për pagesën e muratorit Gëzim Daku.

Shkrimi u publikua sot (01.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)