Marius Borg Høiby, djali i Princeshës së Norvegjisë, është dënuar me katër vite burg nga gjykata në Oslo. Vendimi u shpall nga tre gjyqtarët që e gjykuan për disa akuza penale, në sallën 250 të gjykatës, ashtu siç pritej.
I riu, i lindur nga një marrëdhënie e princeshës përpara martesës mbretërore, u shpall fajtor për dy raste përdhunimi, ndërsa për dy akuza të tjera të ngjashme u shpall i pafajshëm. Prokuroria kishte kërkuar shtatë vite e shtatë muaj burg, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar 18 muaj. Avokatët e tij kanë njoftuar se do të apelojnë vendimin.
Njëri prej gjyqtarëve, Jon Sverdrup Efjestad, lexoi pjesë nga vendimi prej 128 faqesh. Marius Borg Høiby nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së vendimit, por e ndoqi atë përmes videolidhjes.
Gjatë fundjavës ai ishte shtruar në spital pas një krize shëndetësore, ndërsa priste vendimin dhe shqetësohej për gjendjen e nënës së tij. Pas dënimit, pritet të transferohet në burgun e Bærum nga ai i Oslos.
Marius kishte kërkuar leje për të vizituar nënën e tij, Princeshën e Kurorës Mette-Marit, e cila që nga viti 2018 trajtohet për fibrozë pulmonare dhe së fundmi gjendja e saj është përkeqësuar. “Të jesh në burg në Oslo dhe të dish që ajo është kaq e sëmurë është e dhimbshme. Sa herë që vjen të më takojë të dielën, mendoj se mund të jetë hera e fundit”, është shprehur ai ditët e fundit.
Një javë më parë, familja mbretërore, përfshirë edhe Mariusin, u mblodh në rezidencën mbretërore në Skaugum së bashku me mjekët për të diskutuar gjendjen shëndetësore të princeshës dhe mundësinë e një transplanti, i cili sipas raportimeve mund të jetë i afërt. Mjekët thuhet se kanë paralajmëruar se pa një ndërhyrje, princeshës mund t’i mbetet vetëm një vit jetë.
Në fillim të muajit, bashkëshorti i Mette-Marit dhe trashëgimtari i fronit, Princi Haakon Magnus, ndërpreu vizitën zyrtare në Japoni dhe u kthye në Norvegji për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Gjendja e rënduar e princeshës u vu re edhe pak javë më parë, kur ajo u shfaq në ballkonin e rezidencës mbretërore në Skaugum gjatë festimeve të Ditës së Kushtetutës, me kanula në hundë për frymëmarrje.
Princi Haakon ka anuluar gjithashtu disa angazhime zyrtare për të kaluar më shumë kohë pranë bashkëshortes. Edhe vajza e tyre, trashëgimtarja e fronit Ingrid Alexandra, është kthyer nga Australia, ku studion, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së nënës së saj.
Pallati mbretëror norvegjez deklaroi se, për shkak të sëmundjes kronike të rëndë të mushkërive që rrezikon jetën e Princeshës së Kurorës, Princi Haakon do të përshtasë axhendën e tij për të qenë më pranë saj gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, përfshirja e princeshës në listën e pritjes për transplant ka nxitur një valë solidariteti në Norvegji./Corriere della Sera
Komente





