TIRANE- Dy vajza të moshave 33 dhe 27 vjeçe kanë denoncuar në polici se janë dhunuar nga të dashurit e tyre më të vegjël në moshë. Këtë të premte, në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë janë denoncuar dy raste ku “burrat” e vegjël rrahin gratë më të mëdha në moshë.

Blutë e kryeqytetit lëshuan një urdhër mbrojtje për 33 vjeçaren banuese në Tiranë, pasi i dashuri i saj 24 vjeç e ka dhunuar. Ka qenë vajza me iniciale K.Z, e cila ka bërë denoncimin në polici ndaj 24 vjeçarit me iniciale A.P, pasi ky i fundit për arsye xhelozie e ka ofenduar e më pas e ka qëlluar atë me grushte. Sipas dëshmisë së vajzës, ata kishin rreth një vit që jetonin së bashku në një shtëpi të marrë me qira, ndërsa për 33 vjeçaren situata ishte bërë e pa durueshme. Po në të njëjtën ditë, policia ka lëshuar urdhër mbrojtje edhe për një 27 vjeçare e cila është dhunuar nga i dashuri i saj 23 vjeç.