TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se në ditët e fundit ka pasur një zjarr në katin e katërt te zyra e prokurimeve te Ministria e Shëndetësisë. Lideri demokrat aludoi se zyrtarët e kësaj ministrie duke qenë se nuk ja kanë dalë për të manipuluar tenderat, tashmë që SPAK-u nisi hetimet u vendosën flakën dokumenteve. Ai i bëri një thirrje SPAK-ut, duke e cilësuar si provë për jetë a vdekje cështjen e tenderave sekretë.

"Edi Rama ka dhënë ndihmën më të ulët direkte në rajon dhe në Europë, 0. 86 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse?! Sepse vazhdon të paguajë shuma stratosferike të taksave të shqiptarëve për koncesione, sepse edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur, prandaj shkojnë edhe për tenderat sekret. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet e Ministrisë se Shëndetësisë tani që SPAK –u filloi hetimin. Keni dëgjuar apo jo?! Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh.

Kam parajamëruar prej kohësh që arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë, ofertat, kontratat e tenderave sekretë është, sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe u kanë vënë flakën. Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë sepse ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un. Në qoftë se dështon në këtë test, praktikisht, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur.

Ndaj dua t’i bëj thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin me transparencë dhe të komunikojnë me publikun sepse bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie dhe të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga korrierët e Edi Ramës, të cilët nga mëngjesi deri në darkë ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet kundër korrupsionit.

Ky është një test të cilin shqiptarët, jo vetëm opozita, po e shikojnë me shumë, shumë vëmendje dhe jam i sigurt edhe faktori ndërkombëtar. Dhe askush nuk ka për t’i falur, nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të hetuar korrupsionin dhe për t’i vënë prangat zyrtarëve të lartë të korruptuar" tha Basha.  Pas akuzave ka reaguar ministrja Ogerta Manastirliu e cila thotë se "nuk ka pasur zjarr te Ministria e Shëndetësisë, tymi imagjinar del nga koka e Bashës! Dikush t'i hedhë ujë në sy që ta zgjojë". Në përgjigje të ministres Manastirliu, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi shprehet se PD-ja ka prova që vërtetojnë zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe do t'i bëjnë publike nesër. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:06
Raporti Rama-Meta? Basha: Opozita nuk përçahet! Protesta? Mos u surprizoni

Lulzim Basha u pyet nëse ishte penduar që ishte tërhequr nga thirrja e tij gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara, “Grisni teserat e LSI”, duke parë raportet e fundit të Presidentit me kryeministrin Rama. Ai tha se ata që duan përçarjen e opozitës nuk do ia arrijnë.“Më vjen keq për ata që shpresojnë te përçarja e opozitës për të mbajtur në këmbë një regjim hajdutësh.

Po le ta dëgjojnë edhe nga goja ime se ne jemi të bashkuar dhe fundi i Edi Ramës është i pashmangshëm, e vetmja gjë që ka në dorë është të lejojë qytetarët të zgjedhin me votë ose të të përballet me të gjitha pasojat sociale dhe ekonomike që do të sjellë bllokimi apo manipulimi i procesit zgjedhor për të cilin është investuar personalisht para 6 javësh se ka nisur procesin për legalizimin e kanabisit dhe procesin e kanabizimit të vendit.

Ta dini që laku në qafën e kësaj qeverie regjim po ngushtohet. Ne duam ta sjellim ndryshimin me sa më pak kosto për shqiptarët” tha ai. Por a do të ketë protesta nga opozita? "PD ka bërë, bën dhe do të bëjë protesta gjithë kohës. Në cdo kohë do të jemi në krah të njerëzve. Mos u surprizoni" tha ai.

Ora 12:18
Basha: Qeveria grabiti teatrin për një natë, bizneset dhe fermerët po shkojnë drejt falimentit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një bashkëbisedim me gazetarët vijoi akuzat kundër qeverisë për menaxhimin e situatës. "Me mijëra qytetarë që kanë humbur vendet e punës cfarë do të ndodhë. Pas 31 majit. Shumica e lokaleve nuk kanë hapësira jashtë dhe përjashtohen nga aktiviteti, po me kreditë, po ata që nuk kanë përfituar asgjë? Gjendja është dramatike, bizneset po shkojnë drejt falimentimit. Faturat e energjisë dhe energjisë, ju shkojnë prapë, asgjë nuk ndryshuar.

Ende asnjë masë për fermerët, sot janë në krizën më të thellë që mbajnë mend. Qeveria nuk ka asnjë plan. Në kulmin e kësaj krize, mbrëmë brenda natës morën vendimin dhe e botuan për të grabitur Teatrin Kombëtar. Për të marrë vendimin për të mbështetur shqiptarët iu deshën dy javë,  dhe dy javë për ta botuar në Fletoren Zyrtare, zgjaten për të dhënë ndihmë, por kur vjen puna për të grabitur bëhet brenda natës" tha ai.

"Tani pandemia ekonomike që po pllakos është kërcënimi numër një për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Janë hedhur me aferat e vjetra nga koncesionet e reja para dy javësh, te teatri kombëtar, duke ia dhënë bashkisë së Tiranës që është lavatriçe e parave të drogës. Me hir apo pa hir zhvilluesit janë të detyruar të pranojnë. Po kërcënohet cdo person dhe po betonizohet cdo hapësirë në Tiranë. Është regjim në grahmat e fundit, se meriton emrin qeveri. Po bëjnë gati të marrin valixhet në largim e sipër, kjo është qeveria 'kap cfarë të kapësh' para se të ikësh. Kushdo që me këtë akt i shpall luftë artit dhe qytetarisë dhe Europës do të përballet me të gjitha pasojat e kësaj grabitje.

Mbrëmë Ramën dhe Veliajn si ka zënë gjumi po për falimentimin e bizneseve po për të përdorur pandeminë për të vjedhur dhe pastrimin e parave të pista. Me letra janë 60 mijë, por duke pasur parasysh edhe informalitetin, numri i atyre që kanë humbur vendin e punës është dyfish, 120 mijë. Kjo nuk është një shifër, por një tmerr. Sot është data 9 maj por cdo të ndodhë pas 31 majit? Faturat mbeten, konsumi ka rënë. Kush është plani i qeverisë. Pse vjen patatja e Egjiptit dhe mbyt fermerët tanë, apo mishi i derrit, kush përfiton? Favorizohen një grusht importuesish. Nuk e çajnë kokën. Qeveria të favorizonte prodhimin vendas. Mishin mos e merrnin nga Brazili".