Sali Berisha vijon të pretendojë se në zgjedhjet e 14 majit janë kryer shkelje. Sot shfaqi me video akuzat e ripërsëritura se në bashkinë e Elbasanit, qytetarët sipas tij nuk votuan të lirë. Sipas tij, është kryer batërdi elektorale që është jashtë të gjitha sanrdardeve.

“Në serinë e farsës elektorale, unë kam sjellë këtu para jush dokumente në video, të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme batërdinë elektorale që ndodhi në Elbasan, rolin prej kriminelësh elektorale të hapur të operatorëve socialistë, kontrollin e tyre të plotë mbi votën e qytetarëve, votimin e tyre për qytetarët, format e votimit jashtë të gjitha standardeve ligjore dhe kushtetuese të vendit dhe ndërkombëtare”, tha Berisha.

Akuzat i pati ndaj operatorëve teknik për përdorimin e Pajisjes e Votimit dhe Numërimit Elektronik që sipas tij kanë kontrolluar votën dhe në shumë raste kanë qenë ata që kanë votuar në sistem.

“Një person që nuk e njeh askush se çfarë është i dikton voton qytetarit. Operatori i socialistes. Kriminelja elektorale fotografon votën, për të treguar që e ka bërë mirë detyrën, operatorja e PEVN. Edhe këtu në Elbasan, operatori i dikton voton qytetares në qendrën e votimit 2478”, tha Sali Berisha.

Në raste të tjera Sali Berisha akuzon me emra. Në të tjera pamje nga kamerat e vendosura në qendrat e votimit, në deklaratën për mediat, kreu i Rithemelimit, denoncoi dhe votimin familjar.

Sipas Berishës, këto janë provat që qytetarët duhet të ngrihen në protesta.

“Këto zgjedhje nuk do njihen kurrë shqiptarët në protest do rivendosin të drejtësn e tyre për të votur të lirë”, tha Berisha.