Partia Demokratike dorëzoi në dhjetor të vitit 2024 në SPAK padinë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku me argumentin se fryu qëllimisht kostot për tenderin e panelëve diellore në digën e Zadejës. Asokohe Bardhi deklaroi se Balluku firmosi për një tender 8 milionë euro për impiantin fotovoltaik ndërkohë që një projekt tjetër, thuajse identik me të, u kushtoi investitorëve privatë vetëm 3 milionë euro, duke akuzuar se zv kryeministrja ishte përfituesja fundore e rreth 5 milionë eurove.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi iu rikthye kësaj çështje duke marrë si krahasim këtë herë një tender të organizuar nga vetë SPAK për ndërtimin në godinën e tij të paneleve diellore.

“Nëse tenderi për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës do të zhvillohej nga SPAK, atëherë ky projekt do t'i kushtonte Buxhetit të Shtetit 3.6 milionë euro ose 4.5 milionë euro më pak se sa i ka kushtuar dyshes korruptive Balluku-Verdho", shkruan Bardhi. 

Kaq do të mjaftonte thotë Bardhi, të provohet abuzimi në sektorin e energjisë elektrike.

“Vetë SPAK-u ka arritur të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ndodhemi së paku në kushtet e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës", prandaj, thirrja ime për prokurorët e SPAK që po merren me hetimin e kësaj afere korruptive, është të veprojnë menjëherë dhe pa vonesë për të konkluduar hetimet e tyre”, shkruan Bardhi. 

Për Ballukun, Bardhi ka depozituar në SPAK edhe 4 padi të tjera, përfshirë atë për tunelin e Llogarasë dhe shit-bjerjen e energjisë elektrike.

Foto e publikuar nga Bardhi 

Më poshtë reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

PALIGJSHMËRIA DHE ABUZIMI I BELINDA BALLUKUT ME 5 MILION EURO PROVOHET NGA NJË TENDER QË KA REALIZUAR VETË SPAK NË GUSHT 2025!

Në 4 nëntor 2024, kam kallëzuar në SPAK tenderin korruptiv për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës, me vlerë 8.13 milionë euro, që mban firmën e Belinda Ballukut dhe vartësit të saj, Ergys Verdho, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm prej të paktën 5 milionë euro që dihet se në xhepat e kujt kanë përfunduar.

Konkretisht, kompania fituese e tenderit do të ndërtonte kapacitetin prej 1 MËp për vlerën 985 mijë euro, ndërsa e njëjta kompani në sektorin privat kishte ndërtuar të njëjtin kapacitet për vlerën 365 mijë euro ose 620 mijë euro më pak. Pra, nëse panelet diellore në Digën e Zadejës do të ndërtoheshin me të njëjtat çmime si në sektorin privat, atëherë Buxheti i Shtetit do të kursente së paku 5 milionë euro.

Por, paligjshmëria dhe abuzimi në këtë procedurë prokurimi publik provohen edhe nga një tender që ka realizuar vetë SPAK në gusht 2025 për ndërtimin e paneleve diellore në tarracën e institucionit. Konkretisht, SPAK ka shpallur tenderin me fond limit 80 mijë euro për 180 kËp ose 444.4 euro për kËp. Ndërsa, në tenderin e organizuar nga dyshja Balluku-Verdho, një kËP i kushton Buxhetit të Shtetit 985 euro, më shumë se dyfishi i kostos së SPAK.

Nëse tenderi për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës do të zhvillohej nga SPAK, atëherë ky projekt do t'i kushtonte Buxhetit të Shtetit 3.6 milionë euro ose 4.5 milionë euro më pak se sa i ka kushtuar dyshes korruptive Balluku-Verdho, duke provuar kështu dëmin e rëndë që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit, parave të taksaguesve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të kompanive private të lidhura me këtë dyshe.

Dokumentet e tenderit të zhvilluar nga SPAK në gusht 2025, të cilat pavarësisht se prokurorët e posaçëm i kanë, do t'ua vëmë sërish në dispozicion, përbëjnë provën e pakundërshtueshme të paligjshmërisë, abuzimit dhe korrupsionit në sektorin e energjisë elektrike, me autore Belinda Ballukun dhe vartësit e saj, drejtues të kompanive publike. Vetë SPAK-u ka arritur të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ndodhemi së paku në kushtet e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës".

Prandaj, thirrja ime për prokurorët e SPAK që po merren me hetimin e kësaj afere korruptive, është të veprojnë menjëherë dhe pa vonesë për të konkluduar hetimet e tyre dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore dyshen Balluku-Verdho për veprimet dhe mosveprimet e tyre të paligjshme me pasoja shumë të rënda për Buxhetin e Shtetit dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.