Pas denoncimit të rastit të lirimit nga gjyqtarja e Vlorës, Herila Çela të shtetasit Taulant Manaj (Beqiri) me precedent penal dhe të arrestuar nga policia 2 herë në harkun kohor të pak muajve, Ministria e Drejtësisë kërkon shkarkimin e gjyqtares. Për rastin reagon edhe ministria e Brendshme: Vendimi pengon punën e policisë

Përmes një deklarate për shtyp, zv.ministri Toni Gogu tha se kjo nuk është shkelja e parë e kësja gjyqtareje për të cilën do kërkonte shkarkimin në KLD. Me vendimin numër 1416 datë 6.8 2018 gjyqtarja Çela ka vendosur të heqë arrestin me burg për 28 vjeçarin Manaj duke caktuar për të arrest në shtëpi.

"Sistemi i drejtësisë, këmbëngul të japë vendime qartazi të paligjshme që vijojnë të provojnë kalbëzimin e tij dhe drejtesinë e reformës, që po zbatojmë përmes Vetingut, e jo vetëm. Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi. Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin - gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë. Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave nëpërpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares. Raste të tilla nuk janë as të reja e as befasuese, por sidoqoftë ato shkaktojnë revoltë dhe neveri, në kushtet kur Shqipëria po reformon rrënjësisht këtë drejtësi të kapur e të kalbur"

Zv.ministri i Drejtësisë, Toni Gogu

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:43
Konflikti mes bandave rivale në Vlorë, si u lirua dy herë Taulant Beqiraj (Datat dhe akuzat)

Zv/ministri i Brendshëm, Besart Lamallari, e cilësoi absurd vendimin e marrë nga gjyqtarja e Vlorës, Herila Çela, për të liruar nga burgu një njeri që policia e kishte arrestuar dy herë, duke akuzuar gjykatat se po pengonin punën e policisë.

Në daljen e tij për mediave ai sqaroi me detaje edhe dy rastet kur ishte arrestuar Taulant Manaj, Beqiri.

“Më datë 27.02.2017, shërbimet policore të DVP Vlorë, kanë bërë arrestimin në flagrance të shtetasit Tauland Manaj (Taulant Beqiraj), 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municionit”, tha Lamallari.

Ai u përfshi në një përplasje me armë mes dy bandave rivale në qytetin e Vlorës ndërsa këto janë pamjet e siguruara asokohe ekskluzivisht nga Report Tv.

VIDEO/Shkëmbimi i zjarrit në shkurt 2018 në Vlorë

Pas arrestimit, ndonëse gjykata e Vlorës e la në burg, Manaj arriti të merrte masën arrest shtëpie nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me Vendimin Nr. 61 datë 02.03.2018 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne burg”, për shtetasin Taulant Manaj. Me Vendimin Nr.979 datë 28.03.2018, Gjykata e Apelit Vlorë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest ne burg”, ne masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi “ për shtetasin Taulant Manaj”,- theksohet në deklaratën e Lamallarit.

E ndërsa ishte në arrest shtëpie, Manaj e ka thyer atë. “Më datë 23.06.2018, arrestohet sërish i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armeve, armeve shpërthyese dhe i municioneve “ dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikeve “. Me Vendim Nr. 1416 date 06.08.2018, Gjykata e Shkalles së Parë Vlorë, ka vendosur zëvendësimin e masës se sigurimit personal “ Arrest në burg” me masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi”, për një person përsëritës dhe të njohur për rrezikshmërinë kriminale në qytetin e Vlorës. 

VIDEO/Arrestimi në 23 qershor 2018 i Taulant Manaj

Ora 13:14
“E arrestuam dy herë, gjykata e liroi”, Ministria e Brendshme reagon pas skandalit me Taulant Manajn

Pasi Ministra e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Gjyqtares së Vlorës, Herila Çela, reagon edhe ministria e Brendshme. Përmes zv.ministrit Besfort Lamallari MB-ja dënon vendimin e marrë nga gjyqtarja e Vlorës dhe sqaron me detaje se personi i liruar pak ditë më parë ishte arrestuar dy herë nga policia.
Sipas tij, bëhet fjalë për një njeri me precedent dhe rrezikshmëri në qytetin e Vlorës. Ai akuzon gjykatat se po pengojnë punën e policisç


DEKLARATA E PLOTE
Ky rast nuk është i vetëm. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë publik vendime gjykatash në kundërshtim të hapur me ligjin. Ndaj, gjejmë rastin të denoncojmë gjithashtu vendimet, në më shumë se 18 raste, të Gjykatave të Rretheve Vlorë, Elbasan, Lezhë, Tiranë, Korçë e Shkodër, ku ndaj të arrestuarve me armë pa leje, për tentativë grabitje më armë, apo duke thyer masën e sigurisë dhe duke qarkulluar me armë në qytet, janë dhënë vendime aspak në zbatim të ligjit apo në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë në vend: vendime arrest shtëpie, detyrim paraqitje, apo lirim të menjëhershëm nga salla e gjyqit.
Duke e konsideruar ndërtimin e shtetit ligjor dhe drejtësinë si vlera dhe destinacioni ynë i përbashkët; duke çmuar patjetër dhe bashkëpunimin e deritanishëm - me raste të padiskutueshme suksesi të përbashkët - që është vendosur mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë; duke besuar në rreshtimin tone në një llogore me vendosmërinë për të luftuar pandëshkueshmërinë; në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit apelon institucionet përkatëse, si dhe organin e akuzës, të reagojë për të ndërtuar kulturën e barazisë para ligjit, ndëshkimin e ashpër ndaj çdo personi të përfshirë në veprimtari kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe sidomos ndaj përsëritësve në krim dhe atyre që janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale.

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari