Denoncimi tek Enveri: Ja agjenti që do
të ndihmonte Xhevdet Mustafën në Fie

Denoncimi tek Enveri: Ja agjenti që do<br />të ndihmonte Xhevdet Mustafën në Fie
TIRANE- Kush ishte Muharremi, komandanti i divizionit në Berat dhe aktiviteti i tij agjenturor. “...përpara se të hynte në Shqipëri banda e Xhevdet Mustafës, ky largoi për një muaj të tërë gjithë artilerinë që ishte vendosur në rajonin bregdetar të zonës rreth Apollonisë..” 

Mbledhja e sekretarëve të Komitetit Qëndror e 14 dhjetorit 1983, duket se i ishte kushtuar ekskluzivisht agjenturës në Ushtri. Sapo është hapur kjo temë, Hekuran Isai ka nisur ti raportojë Enver Hoxhës rast pas rasti të gjithë të dyshuarit në ushtri të cilët Sigurimi i shtetit i kishte nën vrojtim. Rasti i parë që ka raportuar Isai në mbledhjen e 14 dhjetorit ishte një komandant divizioni në Berat i quajtur Muharrem, i cili ishtë venë nën shënjestrën e Sigurimit të shtetit që në kohën e eleminimit të bandës së Xhevdet Mustafës. Sipas Isait, ky person në atë kohë ishte komandant divizioni në Fier. Hekuran Isai i thotë Hoxhës se: “...përpara se të hynte në Shqipëri banda e Xhevdet Mustafës, ky largoi për një muaj të tërë gjithë artilerinë që ishte vendosur në rajonin bregdetar të zonës rreth Apollonisë..”

Po ashtu Hekuran Isai ka tregtuar se kishin në vrojtim edhe ish-komandantin e artilerisë që kishte bërë kuadratimin e Tiranës në hartë, në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Mbrojtjes, e si pasojë e kësaj zona e bllokut ishte në rrezik.

Po sipas Hekuran Isait, edhe drejtori i Uzinës së Tankeve dyshohej si agjent grek. Ai i ka treguar Hoxhës se ky kuadër, që ishte edhe anëtar partie ishte kallëzuar nga një agjent grek i kapur në Korçë.
Më tej Hekuran Isai i ka raportuar Hoxhës edhe rastin e një komandanti artilerie në Peqin, i cili sipas tij kishte një “dashnore” në Tiranë, që sipas Isait ishte agjente e sigurimit të shtetit, dhe se ajo e kishte regjistruar ndërsa ai fliste poshtërsisht kundër ushtrisë shqiptare.

Dialogjet e udhëheqësve në këtë pjesë të procesverbalit janë mjaft ngacmuese duke zbuluar histori pas historish, që lidhen me agjentura të huaja që kishin synim të depërtonin në rradhët e ushtrisë shqiptare.
 
Dokumenti
 
(Vijon nga dje...)
 
Shoku Enver Hoxha: Dhe ne e kemi atë komandant divizioni?
Shoku Ramiz Alia: Është komandant i divizionit të Beratit ai?
Shoku Hekuran Isai: Po, kurse përpara se të vinte këtu, ai ka qenë në Fier. Megjithatë tani e kemi verifikim çështjen e tij, shoku Enver, pse ky person lidhet me problemin e Fierit. Kur vajti Kadri Hazbiu në Fier, përpara se të hynte në Shqipëri banda e Xhevdet Mustafës, ky largoi për një muaj të tërë gjithë artilerinë që ishte vendosur në rajonin bregdetar të zonës rreth Apollonisë. Pas ardhjes e likuidimit të bandës së Xhevdet Mustafës, ky komandant divizioni dha menjëherë urdhër që artileria të kthehej përsëri në vendin ku ishte.

E dyta, përsëri po në divizionin që drejtonte ky person në Fier u bë nga ana e tij një rigrupim i artilerisë në atë mënyrë që po ta studioje me kujdes këtë vendosje që bëri ai, artileria jonë nuk do të ishte në gjendje të përballonte një situatë të vështirë që mund të na krijohej nga drejtimi i detit. Këtë çështje ne e kemi vërtetuar me specialistët. Plus këtyre kemi disa të dhëna agjenturore për këtë njeri, sipas të cilave ky flet me pesimizëm të madh për ushtrinë tonë dhe thotë: “kur do të vijë koha që të dal sa më shpejt në pension” “ishalla dalim me nder”. Veç këtyre kemi edhe të dhëna të tjera.

Prandaj këtë person po e ndjekim për ta verifikuar. Ne po ndjekim gjithashtu ish komandantin e artilerisë që bëri kuadratimin e Tiranës në hartë kundër vendimeve të Këshillit të Mbrojtjes. Në bazë të kësaj harte, zona e bllokut në Tiranë nuk duhej të ishte e kuadratuar nga artileria dhe në fakt, kështu ish vepruar në kohën e armiqve dhe kjo vazhdoi kështu që nga Beqir Balluku, Mehmet Shehu dhe deri tek Kadri Hazbiu. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që artileria që ishte këtu sipër, në kodër, mjafton ti jepej një urdhër dhe...

Shoku Enver Hoxha: E di këtë çështje, e di.
Shoku Hekuran Isai: Pra këta të dy kemi ne në vëzhgim.
Shoku Enver Hoxha: Po tani ku ndodhet ky njeri?
Shoku Simon Stefani: Në një repart po aty.

Shoku Enver Hoxha: Po në ç’repart dhe ç’funksione ka tani?
Shoku Simon Stefani: Nga funksionet që ka pasur e kemi larguar tani.
Shoku Hekuran Isai: Është hequr si komandant?
Shoku Simon Stefani: Tani është caktuar të punojë në një shkollë të lirë, është larguar nga detyra që kish më parë.

Shoku Hekuran Isai: Edhe drejtori i Uzinës së Tankeve, në bazë të sinjalizimeve që kemi na del si agjent grek. Tani e kemi për verifikim çështjen e tij.
Shoku Enver Hoxha: Agjent grek qenka ai?
Shoku Hekuran Isai: Po, po agjent grek na del.
Shoku Enver Hoxha: Sa vjeç është ky njeri?
Shoku Simon Stefani: Duhet të jetë nja 45 vjeç.

Shoku Enver Hoxha: Si e ka emrin?
Shoku Hekuran Isai: Nuk më kujtohet tani emri i tij, shoku Enver.
Shoku Enver Hoxha: Po nga na del agjent grek ky?
Shoku Hekuran Isai: Del nga Korça, nga një agjent grek, që ka qenë zbërthyer dhe tani po na tregon lidhjet që ka pasur me këtë person, bisedat që ka pasur me të, etj.
Shoku Enver Hoxha: Në ç’kohë?
Shoku Hekuran Isai: Para pesë-gjashtë vjetësh.

Shoku Enver Hoxha: Ka qenë në Korçë ky?
Shoku Hekuran Isai: Jo ka qenë këtu në Tiranë, shoku Enver dhe me të ka lidhje agjenti grek i Korçës, i cili është zbërthyer atje si agjent, u dënua si i tillë dhe në hetuesi ka deponuar edhe për këtë. Këtë çështje ne po e verifikojmë tani të shkëputur.
Shoku Enver Hoxha: Po ka dhënë gjë? Çfarë ka deponuar?
Shoku Hekuran Isai: Ky ka deponuar se mban lidhje me ambasadën greke, ka pasur lidhje me korespondencë edhe me elementë të dyshimtë në vend.
Shoku Enver Hoxha: Po kanë pasë qënë konstatuar më parë këto që thoni?
Shoku Hekuran Isai: Ato janë duke u verifikuar, shoku Enver, i kemi në verifikim, akoma nuk i kemi të vërtetuara.

Shoku Enver Hoxha: E kuptoj.
Shoku Ramiz Alia: E kemi komandant të shkollës këtë.
Shoku Hekuran Isai: Jo, e kemi komandant të Uzinës së Tankeve.
Shoku Ramiz Alia: Makari të Uzinës së Tankeve.

Shoku Enver Hoxha: Megjithatë duhet ta verifikojmë, se një agjent grek edhe mund të shpifë.
Shoku Hekuran Isai: Mundet, prandaj e kemi në verifikim se nuk e kemi të vërtetuar.
Shoku Simon Stefani: Bile e kemi edhe anëtar partie.
Shoku Hekuran Isai: Ne e kemi në verifikim, prandaj e kemi akoma anëtar partie.

Shoku Enver Hoxha: Derisa nuk është verifikuar, anëtar partie do ta kemi patjetër dhe komandant të Uzinës së tankeve.
Shoku Simon Stefani: Më ekzakt ky është drejtor i Uzinës së rimontit të tankeve.
Shoku Hekuran Isai: Kemi edhe një komandant artilerie në Peqin, shoku Enver, që është takuar me një punonjës të ambasadës bullgare në Durrës, i cili ka një dashnore në Tiranë, prandaj vjen herëpashere edhe këtu.
Shoku Enver Hoxha: Dashnore?
Shoku Hekuran Isai: Po.

Shoku Enver Hoxha: Bullgare?
Shoku Hekuran Isai: Jo bullgare, po takimin e ka bërë me nj^punonjës të ambasadës bullgare në Durrës. Ne e kemi fiksuar këtë në një takim të dyshimtë, pastaj ky ka lidhje edhe me një grua në Tiranë, që siç thashë, e ka dashnore. Ne kësaj gruaje duke e pasur bashkëpunëtoren tonë, e kemi pajisur me teknikë që e ka marrë me vete. Kështu duke ia dëgjuar regjistrimet që ka mundur të marrë ajo, del se ai flet shumë poshtërisht kundër ushtrisë sonë, kundër politikës së shtetit tonë, flet pro sovjetikëve dhe ka prirje për arratisje.

Shoku Enver Hoxha: Ky?
Shoku Hekuran Isai: Po, ky që është komandanti i grupimit të Peqinit. Edhe këtë e kemi tani në ndjekje.
Kemi edhe një tjetër, që nuk më kujtohet si emër, me prirje pro sovjetike, që shërben si stomatolog në repartin e Zall Herrit, që na rezulton me pikëpamje shumë armiqësore. Të gjithë këta i kemi si objekte për ndjekje.
Në përgjithësi, nga sa konstatojmë ne, disiplina në ushtri ka ardhur vazhdimisht duke u forcuar. Megjithatë, organizimi i ri që bëmë në ushtri kërkon një tendosje shumë më të madhe në punë të kuadrove, se konstatojmë se te këta qëndron çelësi.

Ne për thyerjet e disiplinës ua ngjisim fajin gjithnjë ushtarëve, themi se këta janë të padisiplinuar, po, sipas konstatimeve që kemi, është fakt që atje ku komandanti dhe komisari rrinë afër ushtarëve, ashtu si keni theksuar vazhdimisht ju, shoku Enver, nuk kemi probleme. Ja, le të marrim armën e xhenios. Në ato reparte që komandojnë oficerë të ndërgjegjshëm, të lidhur ngushtë me ushtarët, atje nuk kemi shumë probleme. Por në radhët e disa kuadrove të ushtrisë vihet re një prirje rehatllëku. Prandaj të tillë oficerë duhen shkundur mirë, mendoj unë, duhet luftuar kjo prirje rehatllëku dhe për t’ua hedhur fajin për çdo gjë ushtarëve. Ushtari, ashtu siç bën gabime kur është në terren pa u mobilizuar në ushtri, ashtu do të bëjë edhe këtu.

Shoku Simon Stefani: Jo, kur nuk ka pasur faje, nuk ia kemi ngarkuar këtë ushtarit.
Shoku Hekuran Isai: Nuk them unë se ua keni ngarkuar ju.
Shoku Simon Stefani: Se thyerjet e disiplinës e të tjera dobësi në njësi e reparte janë analizuar dhe për të gjitha këto janë kritikuar oficerët, janë mbajtur qëndrime ndaj atyre që mbajnë përgjegjësi, janë marrë masa. Prandaj në drejtim të disiplinës ka një përmirësim të dukshëm në ushtri.

Shoku Enver Hoxha: Jo, jo, nuk duhet të na gënjejë pamja e jashtme sikur tani ka një përmirësim të dukshëm. Ne e dimë që një përmirësim në drejtim të disiplinës ka, po gjendja nuk është ajo që kërkohet.
Unë, për shembull, do të të pyes për një gjë: për këtë komandant divizioni që na informove tani, ç’raporte ka, nuk e kam fjalën nga sigurimi, se sigurimi mban të dhënat e veta, po e kam fjalën nga Partia. Ke gjë raporte nga Partia ti për këtë njeri, Simon? Ke gjë raporte nga sekretari i komitetit të Partisë apo nga organizata bazë, që të tregojnë se nëpër mbledhje te ky njeri vërehen hezitime, sillet një çikë si me druajtje, po përse, nuk e di. Ose ky duhet të jetë një njeri shumë i rafinuar.

Shoku Hekuran Isai: Që nuk shpërthen gjëkundi.
Shoku Enver Hoxha: Që nuk shpërthen gjëkundi. Ose, kur bën një vërejtje komisari o sekretari i organizatës bazë, diskuton ky njeri në mbledhje apo nuk diskuton?
Shoku Simon Stefani: Për këtë person kam biseduar edhe me sekretarin e komitetit të Partisë, shoku Enver. Si ushtarak është kuadër i përgatitur, po si formim dhe si njeri ka tiparet e një kapadaiu dhe është arrogant. Në një stërvitje që ishte zhvilluar kohët e fundit në drejtim të Kolonjës, kishte bërë mjaft llafe me vartësit e tij, se nuk e kishte organizuar mirë marshimin për në destinacionin ku duhet të arrinin forcat, prandaj u zu me oficerët, qe grindur me ta fare padrejtësisht, kurse doli që përgjegjësinë e kishte vetë ky.

Për këtë stërvitje u bë mbledhja e komitetit të Partisë me kërkesën tonë që të analizoheshin këto dobësi e boshllëqe, iu kërkua këtij llogari pse nuk qenë kryer brenda normave marshimi dhe gjithë detyrat e të tjera dhe këtu iu qëndrua fort, e kritikuam, prandaj u detyrua të bënte autokritikë në komitetin e Partisë. Kohët e fundit ky person ka ardhur edhe këtu, në aparatin e Komitetit Qendror dhe është takuar me ndihmësin tim, se ka një djalë që i është transferuar në Mirditë, lëvizje që ky nuk e ka pritur mirë.

E dyta, ai ishte shtrënguar që të sillte familjen në Berat, për arsye se atje e ka pas detyrën, po ka hezituar, nuk ka pas dashur ta sillte. Këto kohët e fundit kishte ardhur edhe në ministri edhe te ne këtu dhe kish kërkuar që mundësisht të hiqej nga kjo detyrë, duke u justifikuar se familjen nuk e sjell dot nga Fieri në Berat, tani që jam në prag të pensionit, kish thënë, se jam i stabilizuar atje. I biseduam këto çështje me Prokopin dhe ramë edhe një herë dakord që t’ia vërtetonim këto “arsye”. Në të njëjtën kohë po mendojmë se kë tjetër mund të vëmë atje në vendin e tij në drejtim të këtij divizioni.
Shoku Enver Hoxha: Ta heqim menjëherë andej këtë njeri, ç’e duam?
Shoku Simon Stefani: Dakord me ju, ta heqim.

Kemi pasur edhe të dhëna të tjera për këtë, shoku Enver, se ka fejuar djalin me motrën e një mësuesi që ka mbaruar në Francë, i cili është çuar nga ne në Berat, për arsye se dyshohej si agjent i francezëve. Meqenëse të dy palët kanë lidhur krushqi, hyjnë e dalin lirisht si pa gjë të keq te njëri-tjetri.
Shoku Hekuran Isai: Për këtë unë i kam bërë edhe një raport shokut Simon dhe del se ambasadori francez...
Shoku Simon Stefani: Jo ambasadori, por sekretari i ambasadës franceze.

Shoku Hekuran Isai: Po, sekretarin e ambasadës franceze në
Beograd, e merr një ditë në telefon ambasadori francez këtu, i cili e fton të vijë në Shqipëri si “mik”, i thotë se do ta presë si mik për të qëndruar disa ditë këtu. Sa morën dijeni ne u vumë në ndjekje të kësaj situate. Në bazë të kësaj “ftese” ai vjen këtu si mik i ambasadorit francez në Tiranë.

     Po çfarë konstatuam ne? Ambasadori francez jo vetëm nuk e priti këtë person të ardhur nga Beogradi, por nga sa e ndoqëm në lëvizjet e tij, ai nuk e mbajti të paktën as për një darkë, kurse një ditë të bukur, i ardhuri nga Jugosllavia, sekretari i ambasadës franceze në Beograd, shkëputet nga Tirana dhe shkon në Berat, ku vendoset në Hotel “Turizmi”. Ne u bëmë një kritikë të rreptë shokëve të Degës së Brendshme në rrethin e Beratit që nuk e ndoqën si duhet këtë njeri. Po me këtë njeri u bë një punë e përciptë edhe nga ana jonë.

     Po në Berat çfarë konstatuam? Dy inxhinierë të Poliçanit që kanë qenë në Francë, gjoja takohen rastësisht në hotel të Beratit ballë përballë me këtë njeri dhe gruan e tij. Këtu ka disa pikëpyetje. Si niset ky peron nga Beogradi, vjen si “mik” dhe si “koincidon” që në një orë të caktuar këta takohen ballë përballë me njëri-tjetrin në hotel “Turizmi” në Berat? Jo vetëm kaq, po dy inxhinierët tanë, që kanë qenë në Francë mbajnë shoqëri të ngushtë edhe me Muharremin që bëmë fjalë pak më parë.

Kur sportelistja pyeti se kush di frëngjisht se nuk po marr vesh çfarë po më thotë francezi, unë, - thotë njëri nga këta, - di, - të “koincidencës” dhe vihet në lidhje me francezin. Jo vetëm kaq, por francezi shkëmbeu një libër të kuq me njërin prej inxhiniereve, i dha gjithashtu një libër edhe nga ana e tij. Puna jonë e përciptë qëndron këtu që dhënia e librit, thonë ata të Degës së Beratit, është koincidencë, se është një libër i zakonshëm. Ky mund të jetë vërtet libër i zakonshëm, por vihet pyetja: ç’ka midis rreshtave të këtij libri, se ai mund të jetë një libër kod, që i shpjegon marrësit fjalët e para të paragrafit që duhet të merren kështu apo ashtu.

Shkrimi ubotua ne Shqiptarja.com (print), në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com) 




 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit