Lexuesit e Shqiptarja.com në Itali, denoncojnë një problem që i referohet kompanisë ajrore “Albanian Airlines” në lidhje me rimbursimin e biletave, pas mbylljes së zyrës së kësaj agjensie në Torino që prej dhjetorit të 2011-ës.

Sipas lexuesve që kanë denoncuar këtë shqetësim, rimbursimet e shumicës së biletave nuk janë kryer, dhe “pasagjerët si ne, familjart tanë, miqtë e të gjithë të tjerët nuk kemi informacione se ku mund t’i kërkojmë”, lexohet në denoncimin e qytetarëve drejtuar Shqiptarja.com.

Biletat janë blerë në zyrën e “Albanian Airlines” në Torino, e mbyllur në dhjetor, dhe pasi qytetarët kanë kryer të gjitha procedurat e rimbursimin nuk kanë marrë asnjë lekë prej agjensisë.

Qytetarët tregojnë për Shqiptarja.com se nga bisedat telefonike me ish punonjësit e kompanisë kanë marrë njoftimin se ata nuk janë më pjesë e kompanisë dhe se “Albanian Airlines” tashmë e ka blerë një tjetër pronar, që sipas punonjësve, është ACG Advanced Construction Group ne Shqiperi.

Ndërkaq, -vijojnë qytetarët, - “edhe në website e kësaj kompanie rezulton që ACG është në pronësi të “Albanian Airlines” por numrat e kontaktit në website nuk përgjigjen ose nuk egzistojnë”.

Qytetarët thonë se janë sorollatur me gënjeshtra nga kjo kompani, dhe kanë menduar që zgjidhjen e situatës në të cilin ndodhen ta marrin duke e bërë publik shqetësimin e tyre në gazetën Shqiptarja.com.

(gm/shqiptarja.com)