Depilimi me lazer, mënyra
për të zhdukur bezdinë

Depilimi me lazer, mënyra<br />për të zhdukur bezdinë
Me Dr. Luminita Apetrin, mjeken e njohur estetiste, me specializime të shumta në Izrael, Gjermani, Rumani, etj kemi zgjedhur të flasim për depilimin me lazer.

Dr. Luminita, a mund të na shpjegoni si funksionon depilimi me lazer?
Depilimi me lazer është një procedurë mjeksore e cila përfshihet prej vitesh midis pesë procedurave jo-invazive më të aplikuara në botë. Të gjithë e dimë se lëkura e çdo personi të shëndetshëm përmban pigment dhe qeliza të pigmentuara. Është ky pigment që mundëson nxirjen gjatë ekspozimit në diell.

Pigmenti është më i shprehur (pra ndodhet në përqendrime më të larta) në rrënjën e qimes. Pikërisht ky është mekanizmi i veprimit të dritës së lazerit ose pajisjeve që prodhojnë dritë pulsuese (IPL). Si rregull, në vendin e shkatërruar nuk mbin më asnjëherë një qime e re dhe kjo bën që në mënyrë spekulative depilimi me lazer të quhet edhe depilim përfundimtar, ose definitiv.

Pse spekulative?
Sepse fakti që shkatërron një pjesë të qimeve nuk do të thotë se ke mundësi të shkatërrosh të gjithë rrënjët e qimeve në lëkurë. Kjo është e pamundur. Drita e emetuar nga lazeri ose IPL dhe nxehtësia e gjeneruar prej saj shkatërrojnë vetëm ato rrënjë të qimeve që ndodhen në një fazë të caktuar të zhvillimit.

Drita nuk mund të veprojë në të gjithë rrënjët dhe, praktikisht çdo pore e lëkurës, në kushte të caktuara (sidomos lidhur me stimulimin hormonal) mund të shndërrohet në një rrënjë dhe në një flok ose qime të re.

Kështu, si rregull, pasi kalojnë disa muaj ose disa vjet nga depilimi me lazer, lëkura përsëri mbushet me qime të reja. Në disa persona këto qime janë po aq të dendura dhe të pigmentuara sa ç’ishin edhe para trajtimit.

Në persona të tjerë, qimet e reja janë më të brishta dhe më pak të pigmentuara. Një mjek me përvojë mund ta parashikojë rezultatin e trajtimit me një farë përafërsie, por jo me siguri të plotë.

Cilat tipe të lëkurës reagojnë më mirë ndaj depilimit me lazer?
Lëkura ideale për tu depiluar me lazer dhe IPL është lëkura e bardhë me qime të pigmentuara. Kjo sespe drita e emetuar nga pajisja shkon aty ku ka pigment. N.q.s. lëkura është e pigmentuar, edhe vetë lëkura do të përthithë energji duke patur rrezikun e djegies - një komplikim jo i rrallë kur një person trajtohet prej një mjeku pa përvojë, ose kur mjeku tenton të arrijë rezultat duke sfiduar kufijtë e sigurisë.

Pra që një trajtim të ketë efekt duhet që floku të jetë më i pigmentuar se lëkura. Përndryshe depilimi është i pamundur, sepse drita do të digjte lëkurën pa dëmtuar rrënjën e qimes, pra pa realizuar efektin e dëshiruar të depilimit.

Pajisje të ndryshme lazer emetojnë valë me gjatësi të ndryshme të cilat janë efektive ndaj lëkurave të fototipeve të ndryshëm. Si rregull, sa më e madhe gjatësia e valës së dritës, aq më efektiv është trajtimi edhe për personat me lëkurë të pigmentuar.

Nga kjo që thoni, periudha më e mirë për depilimin me lazer është ...?
... fundi i dimrit dhe pranvera, pra stina ku kemi hyrë. Kjo sepse lëkura ka humbur pigmentimin e fituar gjatë stinëve të nxehta dhe depilimi ka rezultat maksimal. Në lëkurën e nxirë nga dielli është e vështirë deri e pamundur për të punuar dhe realizuar depilim me lazer ose dritë pulsuese.

Cilat janë rreziqet e depilimit me lazer?
Si për çdo procedurë tjetër mjeksore, rreziku kryesor është vendimi për tu trajtuar pranë një personi të patrajnuar, pra të paaftë. Teknologjia e sotme i ka bërë lazerët shumë të sigurt, por n.q.s. personi që aplikon trajtimin përpiqet të tejkalojë kufijtë e sigurisë atëherë rreziku është i madh. Marrim një shembull.

Për të shkatërruar rrënjën e qimes, nevojitet një energji e caktuar. N.q.s. mjeku në përpjekje për të shkatërruar rrënjën e qimes rrit energjinë e pajisjes, atëherë vjen momenti kur kjo energji shkatërron jo vetëm rrënjën e qimes, por edhe dëmton lëkurën duke shkaktuar njolla të bardha deri në djegie.

Pjesa më e madhe e pajisjeve që prodhohen sot, bëjnë auto-rregullim të energjisë bazuar mbi fototipin, por si gjithçka tjetër në fushën e mjeksisë, është e vështirë që “logjika” e pajisjes të zëvendësojë logjikën e një mjeku të trajnuar dhe me përvojën e duhur. Nga ana tjetër, efekte anësore të parrezikshme janë një ndjenjë djegie, kruarje, skuqje dhe enjtje e lehtë e lëkurës në zonën e trajtuar.

Këto efekte, si rregull, zgjasin dy-tre ditë dhe jo më shumë. Efekte afatgjata si plasaritje e lëkurës, krijim i shenjave dhe ndryshim i fortësisë së lëkurës, janë tepër të rralla dhe përgjthësisht lidhen me përdorimin jo korrekt të pajisjeve ose përzgjedhjen e gabuar të pacientit për trajtimin në fjalë.

A është procedura e trajtimit e dhimbshme?
Gjatë trajtimit ekziston një ndjesi e lehtë djegie. Kur trajtohen zona të vogla, unë personalisht aplikoj një krem anestetik 30 minuta para trajtimit dhe kjo e bën procedurën të padhimbshme.

Ekzistojnë shumë mënyra për ta qetësuar lëkurën: si aplikimi i akullit dhe kompresave të ftohta menjëherë para dhe pas aplikimit të dritës, pajisje kondicionimi që dërgojnë ajër të ftohtë në pjesën e trajtuar, etj.

Gjithçka realizohet në një seancë?
Depilimi me lazer ose dritë pulsuese si rregull kërkon nga tre në tetë seanca të aplikuara në largësi një deri dy muaj nga njëra tjetra. Kjo në varësi të tipit të lëkurës, ngjyrës së qimes dhe vendit të trajtuar.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi