Tirane- Disa deputetë të opozitës dorëzuan në Kuvend kërkesën për të ngritur një komisioni të posaçëm parlamentar për hartimin e “Paktit për Fëmijët”, një strategji kombëtare për fëmijët në vendin tonë.
Pakti është firmosur nga deputetët e 'djathtas 1912' Dashamir Shehi, Flutura Açkës, Enkelejd Alibeaj dhe Merita Bakiu të cilët thanë se kjo iniciativë pas vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.
'Për shkak të ndjeshmërisë së lartë që përmbajnë motivet mbi të cilat bazohet kërkesa për miratimin e këtij vendimi dhe për shkak të nevojës dhe urgjencës publike që mbart objekti që do të trajtojë ky komision i posaçëm, bazuar në nenin 24/2 të Rregullores, jeni e lutur të thërrisni sa më shpejt që të jetë e mundur, Konferencën e Kryetarëve, për të vijuar procedurën parlamentare për shqyrtimin e kërkesës dhe miratimin e vendimit" shkruhet në kërkesën e deputetëve drejtuar Elisa Spiropalit.
Komisioni i Posaçëm, nëpërmjet një proçesi publik, gjithëpërfshirës, mbështetur në mekanizmat, rregullat dhe proçedurat përkatëse parlamentare dhe me angazhimin e të gjithë faktorëve parlamentarë e të shoqërisë civile, ka në objektin e punës së tij të realizojë:
Një vlerësim/analizë të situatës aktuale në të gjitha fushat që prekin/ndërthuren apo janë përgjegjëse për sigurinë e fëmijëve;
Hartimin e një Strategjie Kombëtare për Fëmijët, e cila të sugjerojë zgjidhje të problematikave aktuale bazuar në interesin më të lartë të fëmijës, si dhe parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare;
Hartimin dhe miratimin e ndryshimeve ligjore dhe institucionale, bazuar në zgjidhjet strategjike për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 21 anëtarë, nga të cilët 11 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 10 përfaqësues të pakicës parlamentare. Emrat e anëtarëve përcaktohen me vendim të Kuvendit, duke patur në konsideratë konfigurimin e Kuvendit sipas partive politike me përfaqësim parlamentar. Kryetari i komisionit tw jetw përfaqësues i pakicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i shumicës parlamentare.
Komisioni i Posaçëm zhvillon veprimtarinë e tij në një afat kohor 1 vjecar. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Pranë Komisionit të Posaçëm, ngrihet dhe funksionon grupi i punës i ekspertëve. Çdo parti tjetër joparlamentare ftohet të marrë pjesë në aktivitetet e hapura, si dhe të ofrojë kontribute konkrete pranë komisionit dhe grupit të ekspertëve.