Në seancën e fundit plenare të janarit në Parlamentin Europianë, tre deputetë francezë të Frontit Nacional depozituan një projekt-rezolutë, e cila kërkon ndalimin e e menjëhershëm të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Teksti i rezolutës vë në dukje se gjendja sociale dhe ekonomike aktuale në Europë nuk le vend për anëtarësime të tjera, që sipas tre deputetëve nacionalistë vetëm sa do të shtojë barrën e kontributeve financiare nga vendet kryesore të BE-së, mes tyre edhe Francës.

Dominique Bilde, Sophie Montel dhe Steeve Briois kundërshtojnë në mënyrë të ngjashme edhe proceset e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Turqisë. Projekt-rezoluta vë në dukje se Shqipëria ka përfituar deri tani kredi europiane që shkojnë deri në 315,5 milionë Euro në vitet 2000-2006 dhe 306,7 milionë Euro në vitet 2007-2010.

Eurodeputetët e partisë së Le Pen ankohen se Shqipëria ka problem të mëdha me korrupsionin dhe është një nga pikat e qarkullimit për shumë trafiqe, si të drogës, prostitucionit e të tjera.

Për këto arsye e të tjera, eurodeputetët kërkojnë: mbajtjen e referendumeve në çdo vend anëtar lidhur me valën e re të anëtarësimeve të mundshme në BE dhe sidomos ndalimin e menjëhershëm të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

PDF

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)