LEZHE- Deputetët e opozitës italiane ishin sot në Shqipëri në një vizitë blitz për të parë nga afër zonën ku do të ngrihen 2 qendrat e emigrantëve të cilat ishin paraparë të hapeshin të hënën, më 20 maj.
Vizita është zhvilluar mëngjesin e sotëm, (22 maj 2024)/ Matteo Mauri së bashku me kolegët Simona Bonafè, Enzo Amendola dhe Matteo Orfini ishin në Gjadër ku po ngrihet njëra nga qendrat e emigrantëve të parashikuara nga marrëveshja e firmosur mes kryeministrit Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“A e kuptoni se çfarë po bën? Ju po shkelni të drejtat e njeriut, po shpenzoni një shumë të madhe parash publike dhe mbi të gjitha nuk jeni në gjendje as të mbani atë që keni thënë” thotë Matteo Mauri, deputeti i Partisë Demokratike italiane duke iu drejtuar kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrave, atij të Brendshëm, Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes në një video të publikuar në La Repubblica.
Në video shfaqen disa buldozerë, dy kamionë, inxhinierët ushtarakë nuk kanë përfunduar ende gërmimet. Një punë e cila është shumë e ndërlikuar për shkak të terrenit ndërkohë nuk kane nisur kanalizimet deri tek energjia elektrike, shkruan La Repubblica.
Sipas kalendarit të shpallur nga qeveria Meloni, qendrat duhet të ishin inauguruar të hënën më 20 maj, por dorëzimi i punimeve është planifikuar në fund të vjeshtës, kur dhe priten te hapen qendrat.
'Sot është 22 mars. Dy ditë më parë këtu duhej të ishin tashmë në funksion qendra e kërkuar nga Meloni' thotë deputeti i PD-se italiane, Mauri në video. Ndërkohë prefektura e Romës ka firmosur kontratë me kompaninë Medihospes për menaxhimin e shërbimeve.
Opozita italiane ka ngritur shumë pikëpyetje mbi rrezikun e shkeljes së normave dhe konventave ndërkombëtare, si dhe me vetë dobinë e kësaj marrëveshjeje.
“Përpjekja e Melonit për të pasur një reklamë elektorale për emigrantët për zgjedhjet evropiane dështoi keq. Jemi përballë më shumë se 70 mijë metra katrorë dhe nuk ka asgjë. Punimet mezi kanë nisur, pavarësisht njoftimeve të Qeverisë që kishte caktuar datën e hapjes së qendrës më 20 maj 2024”, deklarojnë deputetët e PD-së italiane
Për opozitën italiane e gjitha është pjesë e propagandës së Melonit në kuadër të zgjedhjeve europiane.
“E vetmja gjë që lëviz janë shpenzimet. Tani nga 653 milionë euro që ishte parashikuar në fillim kanë shkuar në mbi 800 milionë. E shpenzimet do të vijojnë të rriten siç kemi deklaruar në nënshkrimin e marrëveshjes. Është e qartë se jemi përballë një përpjekjeje qesharake për të paguar një reklamë elektorale për zgjedhjet evropiane. Veprim i zakonshëm i një qeverie që përpiqet të fshehë dështimet e saj të dukshme me propagandë. I kërkojmë kryeministrit Meloni të heqë dorë nga ky projekt dhe të zhvendosë të ardhurat drejt fuqizimit të burimeve që do t'i akordohen sistemit kombëtar shëndetësor” thonë deputetët e PD-së, shkruan gazeta italiane në faqen e saj online.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Italisë më 2023 u rrit ndjeshëm numri i njerëzve që arritën në Evropë përmes Italisë. Vitin e kaluar, 157.652 arritën në tokën italiane, krahasuar me 105.131 që arritën më 2022.
Emigrantët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali. Sipas marrëveshjes së firmosur në nëntor 2023 planifikohen të ngrihen 2 qendra. Qendra e parë që po ndërtohet në Portin e Shëngjinit, do të shërbejë për pritjen e tyre. Këtu do të mbahen në karantinë për 48 orë dhe më pas do të transportohen me autobusë rreth 35 km në kampin e Gjadrit. Maksimumi i kapacitetit të kampit në një vit është 36 mijë persona.