TIRANE- Deputetët e Partisë Demokratike kanë vizituar sërish Xhelal  Mziun në ambientet e qelisë së burgut 302. Kryetari i Bashkisë së Kamzës ndodhet i arrestuar prej datës 20 dhjetor 2013 për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.

Deputetët që zhvilluan takim me Mziun kanë qenë Arben Ristani, Flamur Noka dhe Aldo Bumçi  të cilët pas takimit kanë dhënë dhe një deklaratë për shtyp.

"Prezenca jonë e përsëritur pranë këtij burgu për t'i bërë një vizitë kryetarit të Bashkisë së Kamzës, është një tregues i faktit që Partia Demokratike dhe opozita po e ndjek nga afër dhe me mjaft vëmendje këtë proces të montuar politik ndaj një të zgjedhuri vendor", thanë në fillim deputetët e PD, të cilët e quajtën “proces të montuar politik, pasi të gjitha rrethanat e të gjitha faktet e demonstrojnë qartësisht që prapa arrestimit të Mziut kishte një skenar dhe ky ishte një skenar i turpshëm fund e krye politik".

“I gjithë procesi i arrestimit të Xhelal Mziut është vetëm një inskenim politik. Duke nisur që nga prerja e fletës së arrestimit, ndërkohë që i zgjedhuri vendor ndodhej një zyrën e tij të punës, duke u shërbyer qytetarëve. Kjo qeveri po luan me dy standarde. Në një rast një i zgjedhur vendor arrestohet si bandit, ndërsa në anën tjetër një i zgjedhur vendor publikon një foto me kryeministrin, duke kërkuar mbrojtje prej tij. Kjo qeveri po luan me zjarrin dhe kush luan me zjarrin digjet.”- tha Noka.
 
Edhe para vitit të ri një grup deputetësh vizituan Mziun në qelitë e burgut, ndërkohë që ky i fundit ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit burg ndaj tij.

Deputetët e PD kanë evidentuar pse arrestimi i Mziut ishte politik: Fakti që fletë-arresti u pre në mungesë ndaj një të zgjedhuri vendor që ishte në krye të detyrës dhe në zyrën e tij duke i shërbyer qytetarëve, vetë fakti që u tentuar të përdhoset edhe familja duke sajuar nga kuzhina e Ministrisë së Brendshme trillime se zonja e Mziu ishte pronare e një argjendarie duke gjetur gjoja argjendari të vjedhura e sajesa të tilla, ndërkohë që zonja Mziu punonte në një bankë dhe nuk kishte asnjë lidhje me çështje të tilla, tregon qartësisht se ishte skenar i përgatitur", thuhet në deklaratën e deputetëve të PD
 
"Edhe mënyra e arrestimit të Mziut e tregon qartësisht këtë, pasi u arrestua si të ishte një kriminel shumë i rrezikshëm dhe jo si të ishte një i zgjedhur vendor, që nuk kishte nevojë të bëheshin skena të tilla, pasi ishte në krye të detyrës dhe nuk përbënte rrezik për tu larguar nga vendi apo nga detyra".
 
Element tjetër, sipas PD, që e përforcon dhe e qartëson bindjen rreth këtij montazhi politik dhe këtij inskenimi është edhe fakti që kjo qeveri po përpiqet dhe po demonstron që po luan me dy standarde, nga njëra anë një i zgjedhur vendor arrestohet si të ishte një kriminel shumë i rrezikshëm dhe dhunohet edhe familja e tij nga ana tjetër një i zgjedhur vendor që është përfaqësues i forcës përfaqësuese në pushtet del në fotografi me kreun e pozitës për të kërkuar mbrojtje ndaj drejtësisë. Mënyra e skenarit ndaj Mziut e tregon qartësisht se kryeministri gënjen, sigurisht që fotografia në Vlorë me të zgjedhurin e tij e tregon edhe më shumë këtë që po themi.
 
"Kjo është fytyra e kësaj qeverie, ne u kërkojmë dhe i bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë montuar këtë skenar që po luajnë me zjarrin, dhe sigurisht kush luan me zjarrin do të digjet shumë shpejt vetë me zjarrin.

Redaksia online
(sg/mag/shqiptarja.com)