Asambleja Kombëtare franceze do të votojë më 28 nëntor mbi propozimin e deputetëve socialistë që ftojnë Parisin të njohë shtetin palestinez, sipas disa burimesh parlamentare.
Kjo votë, jo detyruese por shumë simbolike pas asaj të Parlamentit britanik muajin e kaluar, do të vijë para një votimi tjetër që parashikohet në Senatin francez më 11 djetor, me inciativë të të zgjedhurve komunistë.

Propozimi i rezolutës i deputetëve socialistë ende nuk është paraqitur formalisht, por një version provizor i tekstit kërkon që "Asambleja të ftojë qeverinë franceze të përdorë njohjen e shtetit palestinez si një instrument për të arritur një regullim përfundimtar të konfliktit izraelo-palestinez"

Deri tani Franca ka qëndruar e kujdeshme mbi një njohje të tillë.

"Është evidente që në një moment do të ketë një njohje të shtetit palestinez nga Franca", deklaroi të shtunën ministri i Punëve të Jashtme, Laurent Fabius.

"Çështja është se kur dhe si? Pasi duhet që kjo njohje të shërbejë për përpjekjet për të dalë nga ngërçi dhe të kontribuojë në një rregullim përfundimtar të konfliktit", theksoi ai.
Ndërkohë që procesi i paqes është në një pikë të vdekur që prej vitit 2000, shefja e re evropiane e diplomacisë, Federica Mogherini, vlerësoi po atë ditë se nevojitet një shtet palestinez. Ajo pohoi se do të bisedojë me çdo vend anëtar të BE-së për një njohje të mundshme.

Deri tani vetëm tetë vende të Bashkimit Evropian kanë njohur "Palestinën", ku e fundit ishte Suedia./

ATSH