Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, në proncimin e parë që vjen pas një mori thirrjesh të Partisë Demokratike për goditjen e Strazimirit nga dy deputetët Arben Ndoka e Pjerin Ndreu, shefi i mazhrancës rendit një sërë incidentesh edhe më të rënda të ndodhura në Kuvend, por kulmon me vrasjen e 4 qytetarëve në Bulevard më 21 Janarin e 2011-ës, për të treguar se sa në përpjestim të zhdrejtë, vepron Prokuroria sipas tij përballë çështjeve të tjera të mëdha
….Ndërsa incidentin në korridorin e Kuvendit gjate seancës së 10 Korrikut ku deputetët Ndoka dhe Ndreu janë vënë nën akuzë për goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat, Gent Strazimiri. Rama e quan “skuqje e pjesëve lakuriqe të kokës”, duke iu referuar këtu goditjes që deputeti Pjerin Ndreu tentoi t’i japë Strazimirit
Por pavarësisht këtij qëndrimi, kreu i qeverisë thotë se, në ndryshim nga qeveria e mëparshme në pushtet, prej një viti tashmë, Prokurorisë i është hequr një pengesë e madhe.
“Sidoqoftë ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë, për t’iu shmangur drejtësisë duke e penguar me përdhunë prokurorinë të bëjë detyrën. I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, parlament apo pushtetin vendor. Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajos dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria!”, shkruan Rama.
Statusi ne Facebook i kryeministrit Edi Rama
Prokuroria lajmëroi se do të çojë para gjyqit, mesa duket nën akuzën për goditje për shkak të detyrës, dy deputetë socialistë. Arsyeja: Grushtimi i një deputeti demokrat në një korridor të Kuvendit. Në historinë e një Kuvendi ku janë zbrazur deri edhe armë përveç sharjeve me libër shtëpie dhe dufeve me këmbë e me duar, apo ku kanë rënë përtokë disa dhëmbë të thyer brenda një raundi të vetëm, masa e lajmëruar nga prokuroria është e paparë. Ndërsa në historinë e një vendi ku goditja për shkak të detyrës ka çuar në vrasje me plumba në mes të bulevardit, në rrahje masive me pasojë jo thjesht skuqjen e pjesëve lakuriqe të kokës, po përgjakjen e shumë njerëzve, por ku s’është parë ende asnjë pasojë penale për përgjegjësit, hapi i hedhur nga prokuroria në drejtim të dy deputetëve të shumicës parlamentare ngjan në përpjestim goxha të zhdrejtë me vendnumëronë e organit të akuzës mbi një sërë çështjesh të mëdha penale. Sidoqoftë ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë, për t’iu shmangur drejtësisë duke e penguar me përdhunë prokurorinë të bëjë detyrën. I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, parlament apo pushtetin vendor. Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajos dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria!
Sepse ka ndodhur një ndryshim i madh në Shqipëri 23 qershorin e shkuar dhe edhe qasja e re e shumicës qeverisëse ndaj organit të akuzës - edhe kur ndodh që nën akuzë të vihen njerëz të kësaj shumice -, është një tjetër shembull kuptimplotë i këtij ndryshimi.
Në video: Momenti i incidentit në kuvend filmuar nga kamerat e sigurisë