Ministri britanik për Evropën, Alan Duncan ka deklaruar gjatë një debati në parlament se është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. “Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej" tha ai.
Ndërsa deputeti laburist John Grogan u shpreh se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka lobuar shumë për një marrëveshje që ka në bazë shkëbimin e territoreve. “Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar.
Janë shpenzuar para të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan” tha ai. Britania e Madhe pozicionohet kështu kundër idesë së rishikimit të kufijve në Ballkan.