TIRANË - Deputeti i PDK-së në Kosovë, Xhavit Haliti foli në Report Tv lidhur me Kuvendin e përbashkët Kosovë-Shqipëri në Prishtinë më datën 20 dhjetor. Haliti komentoi për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’ edhe fjalimin e kryeministrit Rama në parlamentin e Kosovës. Për të deklarata e Ramës ishte gjithëpërfshirëse edhe me të kaluarën.
'Ka pasur reagime të ndryshme për faktin se nuk është përmendur ndonjë figurë politike. Kurti ka qenë në pozicion të vështirë. Rama pati mbështetje me duartrokitje. Qe gjithëpërfshirës edhe në raport me të kaluarën historike me presidentin Rugova dhe me të kaluarën e lavdishme të UÇK-së. Në një variant shumë fair në raport me Vetëvendosjen pa hidhërim por edhe dha mesazhin për çështjet që kanë të bëjnë me të akuzë në Hagë. Mesazh shumë domethënës. Për të na thënë të gjithë se Shqipëria është me ju, dhe jemi një por kemi diferenca për disa çështje.'
Sa i përket më pas komentit të ministres së Jashtme Donika Gërvalla se Rama bëri fushatë elektorale në Kuvendin e Kosovës, Haliti thotë se Gërvalla ka një negativitet të pashpjegueshëm me qeverinë shqiptare.
'Gërvalla është bija e Isuf Gërvallës, figurë e respektuar. Por në planin politikë nuk ja ka qëlluar asnjëherë. Ka energji negative kur diskutohet për qeverinë e Shqipërisë dhe të majtë në Shqipëri. Ky mllef që shprehet në vazhdimësi ka burimin në angazhimin e saj në lëvizjen studentore në vitet 90. Pse kjo energji negative. Gjithçka që vjen nga qeveria e Shqipërisë për të është e keqe. Qoftë edhe nga qeveritë e Partisë Demokratike, gjithçka është e zezë. Asnjë argument, vetëm shfryrje. Fushata e elementeve anti-qeveri shqiptare, për mos me e quajtur anti-Shqipëri, për të bashkëpunuar me të dyja qeveritë me të dyja vendet, është e gjallë në Kosovë. Në disa media nuk më pëlqen, nuk janë në linjën e asaj që shqiptarët e Kosovës dëshirojnë.'