Deputeti i PS, Koçi: Ofertat e
Albpetrol, procesi drejt dështimit

Deputeti i PS, Koçi: Ofertat e <br />Albpetrol, procesi drejt dështimit
TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh edhe anëtar i komi sionit të Ekonomisë Ervin Koçi ka komentuar në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" tenderin për privatizimin e Albpetrolit. Ai pretendon se mbrapa kësaj kompanisë që ka ofruar më shumë për të blerë Albpetrolin fshihen interesa të tjera që nuk marrin në mbrojtje interesa kombëtare. Janë hapur tashmë ofertat për privatizimin e Albpetrol.

Si ju duken këto oferta dhe sa të besueshme janë sipas jush duke parë amullinë që është krijuar?

Partia Socialiste që në fillim ka shprehur qendrimin e saj që privatizimi i shoqërisë Albpetrol nuk është një proces transparent. Njëkohësisht edhe ligji për privatizimin që kaloi në Parlament ishte kundër interesit publik dhe antikombëtar, ndaj edhe ne mbajtëm atë qëndrim duke votuar kundër. Administrimi në këto 7 vjet i Albpetrolit është vetëm një histori korrupsioni dhe keqmenaxhimi që ka treguar dështimin e qeverisë në administrimin e sektorit publik. Kështu kjo qeveri ka dështuar me privatizimin e ARMO-s, OSSH-së tashmë CEZ-it dhe të gjitha privatizimet në sektorë të tjerë. Qytetarët kanë humbur nga këto privatizime duke marrë cilësi më të dobët dhe çmime më të larta. Edhe privatizimi i Albpetrolit nuk do të jetë ndryshe, cilido qoftë do të jetë një privatizim i dështuar. Çmimi i ofertave që kanë paraqitur kompanitë e interesuara tregojnë diferenca shumë të mëdha, oferta më e lartë 850 milionë euro, dhe oferta më e ulët ishte e një kompanie që për hir të së vertetës është kompania më serioze siç ishte GAZPROM me 52 milionë euro. Diferenca e madhe e ofertave tregon qartë që ky proces nuk po tregon seriozitet. Nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet lindore që kanë kryer procese privatizimi pas ndryshimit në vitet '90 që të ketë diferenca kaq të larta në një proces privatizimi. Ofertat janë shifra shumë të çuditshme dhe tregojnë amullinë e këtij procesi. Deri tani ne nuk kemi asnjë deklarim zyrtar të kompanive që kanë marrë dhe le të presim qëndrimin zyrtar të kompanive dhe të vetë qeverisë për të krijuar një panoramë mbi këtë realitet të shëmtuar. Njëkohësisht inkurajoj median të vazhdojë hulumtimet se do të dalin çudira të tjera. Mendimi im është që gjithë kjo amulli e krijuar, oferta të çuditshme të paraqitura, do të çojë që qeveria do të marrë vendimin për anullimin e procesit të privatizimit të kësaj shoqërie.

A duhet që qeveria t'i japë asetin e saj të fundit strategjik një kompanie që nuk ka fare lidhje me sektorin e hidokarbureve, kam parasysh këtu kompaninë me ofertën më të lartë?
Normalisht një nga kushtet kryesore të procesit të prokurimit është se kompania duhet të ketë përvojë në sektorin e hidrokarbureve. Duhen parë të gjithë treguesit dhe dokumentacionin që ato kanë paraqitur. Nuk mund të gjykojmë dot, pasi edhe vetë kompania nuk ka dalë në një prononcim zyrtar dhe deri tani kemi pasur vetëm informacione nga mediat që hedhin dyshime mbi këto kompani, se kush fshihet pas saj. Oferta e kësaj kompanie nuk është e firmosur dhe le të presim si do të reagojë dhe nuk kemi ndonjë onformacion nëse oferta e saj është e siguruar. Një proces privatizimi i rëndësishëm është dhe postprivatizimi dhe patjetër mungesa e ekspëriencës në këtë fushë mund të jetë me kosto për të ardhmen për vetë specifikën që ka dhe sektori hidrokarbur.

A janë të mjaftueshme paratë e ofruara për të privatizuar Albpetrol. Ju vete sa mendoni se duhet të shitet?
Albpetroli është shkatërruar në këto 7 vite qeverisje, janë shkatërruar burimet njerëzore, asetet e shoqërisë, kontributi në 90 vite e naftëtarëve është shkelur me këmbë nga kjo qeveri, dhe normalisht gjithë ky keqmenaxhim dhe korrupsion solli një vlerë reale shumë të vogël se sa duhet të ishte në momentin e privatizimit. Duhet të presim se sa do të jetë çmimi që do të paguhet realisht dhe pastaj do të japim opinionin tonë për vlerën e privatizimit. Është menaxhimi shkatërrues i qeverisë që e çoi Albpetrolin në shumë pak asete të vlefshme në procesin e privatizimit. Tregu hidrokarbur është sot tregu më atraktiv për të gjithë investitorët në të gjithë botën, për më tepër kur në vendin tonë është dhe vendburimi më i madh i naftës në Europë. Le të presim strategjitë që do të ndjekin kompanitë që kanë dhënë ofertat pasi e theksova më lart mund të kemi çudira të tjera në të ardhmen nga këto kompani.

Si e shihni numrin 6-të të ofertave pasi më herët u lakuan aq shumë emra dhe komapni që në fakt nuk rezultuan pjesëmarrëse në tender?

Normalisht ka pasur shumë kompani që kanë patur interes, 19 sipas burimeve zyrtare, pasi si u shpreha edhe më lart, ky sektor është mjaft tërheqës për investitorët e huaj. Nga të gjitha këto kompani, vetëm 5 paraqitën oferta, dhe ka qënë vetëm njëra që është lider në tregjet botërorë, dhe kjo ishte shoqëria Gazprom, që ofroi vetëm 52 milionë euro. Për këtë dua të tregoj edhe një histori që kishte ndodhur me specialistët e kompanisë Gazprom që vizituan Albpetrolin në Fier të cilet u tallën duke thënë: "Se çfarë do të privatizoni?" për shkak se vetë politika e qeverisë ishte shkatërruese për këtë shoqëri. Normalisht dhënia e pesë ofertave, ku 3 prej tyre nuk kanë lidhje fare me sektorin hidrokarbur, tregon qartë që ky proces nuk ka qenë shumë tërheqës për investitorët e huaj. Prandaj dhe dhënia e ofertave të larta, nëse realisht do paguhen, mendoj se kanë qëllime të caktuara në vendin tonë. Cilido qoftë çmimi i paguar ky është një privatizim antikombëtar dhe kundër interesit publik.

Çdo të thotë qëllime të caktuara?
Nuk dihen, ka shumë që flasin se pas kompanisë së parë mund të jenë investitore misterioze. Le të presim.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të SHQIPTARJA.com)


(Gre.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Flota ruse zbarkon në Mesdhe, fregata 'Neustrashimy' pritet të mbërrijë nesër në kanalin siçilian

Flota ruse zbarkon në Mesdhe, fregata 'Neustrashimy' pritet të mbërrijë nesër në kanalin siçilian