Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi tha në “Studio Live” me Arbër Hitajn, në Report Tv, se Kosova do të armatoset ushtarakisht. Duke iu referuar blerjes së raketave “Javelin” nga SHBA, Abrashi tha se një lëvizje e tillë po bëhet për t’i bërë ballë kërcënimit serb.

“Kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve të fundit, sulmi terrorist në Banjskë, çka vërtetoi dyshimet lidhur me tendencën e Serbisë për të destabilizuar rajonin, përmes konfliktit në Kosovë. Kemi arritur në një pikë ku Kosova po rrit kapacitetet mbrojtëse me një armatim që mund t’i bëjë ballë sulmit eventual që mund të vijë nga Serbia”, theksoi ai.

Sa i takon raporteve me Shqipërinë, Abrashi tha se qeveria e Kosovës ka nevojë për këshillat e Edi Ramës. Ai i bëri thirrje kreut të qeverisë shqiptare që t’i qëndrojë pranë Kosovës.

“Nuk ka arsye për raporte të ftohta. Ajo që i kërkohet qeverisë shqiptare është që t’i qëndrojë pranë Kosovës në këtë proces mjaft delikat dhe në ballafaqimin me Serbinë në procesin e dialogut. Kemi nevojë për mbështetjen e qeverisë shqiptare, për këshillat e saj. Ftohja e raporteve është e tejkalueshme. Të punojmë së bashku për Kosovën", shtoi Abrashi.