Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për shtyp nga Kuvendi i Shqipërisë. Shehaj i është drejtuar me thirrje Ambasadorëve të vendeve perëndimore, të ngarkuarës me punë të SHBA-së Nancy van Horn e atyre të BE-së, për të kthyer vëmendjen nga Shqipëria dhe presioni që po i bëhet sistemit të drejtësisë nga qeveria shqiptare me në krye Edi Ramën, siç pretendon deputeti.

Shehaj thotë se Rama po sulmon Gjykatën Kushtetuese ndërkohë që po mban peng shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

“Jam këtu për të dënuar me forcë sulmet e përditshme të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë dhe SPAK-ut. Prokurorët dhe gjykatësit po përballen me kërcënime për jetën. Prokurorëve dhe gjykatësve po iu rrezikohet jeta. Në këto kushte Edi Rama vazhdon denigrimin ndaj tyre.

Dënojmë gjuhën e tij linçuese, intimiduese dhe kërcënuese ndaj drejtësisë ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është mbledhur prej javësh dhe po shtyn vazhdimisht vendimin historik në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për pezullimin e zv.kryeministres Balluku e cila akuzohet se ka abuzuar me paratë e buxhetit të shtetit.

Edi Rama po kërkon të mbajë peng Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht vendimin që do të ndajë njëherë e mirë të shkuarën e pandëshkueshmërisë nga e ardhmja, ku të korruptuarit dalin para drejtësisë. Sulmet po kryhen nga vetë Edi Rama, nga analistët dhe gazetarët pranë tij, nga ministra dhe deputetët e mazhorancës dhe nga krimi i organizuar.

Ndaj i bëjmë thirrje: Ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri; Të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së, Ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadorit gjerman, Ambasadorit britanik, Ambasadori italian, Ambasadorit holandez dhe çdo përfaqësie diplomatike perëndimore në Shqipëri, të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë dhe të bëjnë thirrje për ndalje të mënjëhershme të sulmeve ndaj drejtësisë, ndaj prokurorëve dhe ndaj gjykatësve që po luftojnë korrupsionin”, tha ndër të tjera Agron Shehaj.