Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur se ndotja në Lumin Vjosa ka kaluar çdo limit.

Komentet Shehu i bëri nga foltorja e Kuvendit, ku po diskutohej projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, mbi bashkëpunimin teknik 2024, për projektin ‘Green Vjosa (Vjosa e gjelbër) –Zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës’”.  

Shehu tha se një sasi e madhe e naftës derdhet në lumin Vjosë, e cila sëbashku me mbetjet e tjera lumore, sipas deputetit kanë bërë që ky lum të mos ketë më peshq.

“Çështja e kontaminimit të thellë të Vjosës, shkatërrimit të ekosistemeve brenda saj, të qenieve të gjalla dhe kthimit të Vjosës në një rrezikshmëri reale për njeriun. Kjo është e vërteta. E kam ngritur prej kohësh dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka vetëm keqësim të ujërave të Vjosës. Ndërsa në lidhje me marrëveshjen që keni sjellë me Gjermaninë, ja unë po e them që do ta votojë pro, sepse duhet votuar pro, pavarësisht se përmes jush do jepë efekt të kundërt. A e keni parë naftën sesi mbush pjesën e poshtme të Vjosës? Llumin e naftës, llumi i naftës është toksik, ka elementë shumë toksik. E keni parë që në Vjosë nuk ka më peshq? Sepse kushtet biokimike, toksikologjike, kontaminimi shkatërron speciet e gjalla”, tha mes të tjerash Shehu.

Ndërkohë ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka replikuar me Shehun, të cilit i tha se vetëm vitin e kaluar në lumin Vjosa janë larë dhe kanë bërë rafting 200 mijë persona, të cilët sipas tij kanë mbetur të kënaqur.

Po ashtu, ministri Jaupaj tha se qeveria socialiste në vitin 2023 anuloi 26 kontrata HEC-esh që qeveria e PD-së kishte dhënë miratimin për t’u ndërtuar në lumin Vjosa.

“Në 2023 anuluam 26 kontrata HEC-esh që ishin dhënë nga qeveria demokrate për t’u ndërtuar në të gjithë pellgun e Vjosës. Vjosa i ka kaluar të gjitha testet e biodiversitetit për të qenë pasuri UNESCO dhe park kombëtar. Vetëm vjet kanë qenë 200 mijë njerëz që janë larë në Vjosë, kanë bërë rafting në Vjosë dhe e kanë konsideruar një nga eksperiencat më të bukura. Para se të bëjmë deklarata të rreme, të analizojmë ku ishit ju kur atribuat 26 kontrata HEC-esh në të gjithë lumin Vjosa dhe në tributarët e tyre. Kontrata të cilat u anuluan me deklarimin e Vjosës Park Kombëtar në vitin 2023”, tha ministri Jaupaj.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Shtyhen 3 interpelanca me Nufin, Kumbaron e Koçiun! Miratohen projektligjet! Ministri Salla-Blushit: Fondet IPARD çelen brenda vitit, Shqipëria përfiton 146 mln euro nga BE